Bashkimi Evropian (BE) si dhe Qeveria e Britanisë së Madhe kanë njoftuar të martën se kanë vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë.
Kryediplomatja evropiane, Kaja Kallas, përmes një postimi në rrjetin social X, ka lajmëruar se Bashkimi Evropian ka adoptuar sanksione të reja kundër Rusisë në lidhje me luftën në Ukrainë, duke u përqendruar te “flota nën hije” e Moskës, shkelja e të drejtave të njeriut dhe kërcënimet hibride.
“Bashkimi Evropian ka aprovuar pakon numër 17-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke shënjestruar afërsisht 200 anije të flotës nën hije. Masat e reja gjithashtu trajtojnë kërcënimet hibride dhe të drejtat e njeriut”, ka shkruar Kallas.
“Më shumë sanksione ndaj Rusisë janë në proces e sipër. Sa më gjatë që Rusia vazhdon luftën, aq më e ashpër do të jetë përgjigjja jonë”, ka shtuar ajo.
Ndërsa Qeveria e Britanisë së Madhe ka njoftuar të martën për 100 sanksione të reja kundër Federatës Ruse që shtrihen në disa sektorë siç janë ushtria, energjia, sektorët financiarë, si dhe “ata që e zhvillojnë luftën informative të Putinit kundër Ukrainës”.
Në njoftimin për shtyp, Qeveria ka bërë të ditur se Britania e Madhe dhe partnerët e saj janë “po ashtu duke punuar që të forcojnë tavanin e çmimit të naftës, që kufizon edhe më tej të ardhurat nga nafta për makinerinë e luftës së Putinit”./KOHA/Katror.info