Komisioni Evropian ka konfirmuar të premten se Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë Kosovën të mërkurën, më 15 tetor, në kuadër të një turneu nëpër të gjitha gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, e ka konfirmuar këtë në konferencën për shtyp në Bruksel. KOHA e kishte paralajmëruar këtë vizitë javën e shkuar, duke u thirrur në burimet e saj në Bruksel.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian ka thënë se gjatë qëndrimit në Prishtinë, Von der Leyen do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Von der Leyen do ta nisë vizitën në Tiranë të hënën, më 13 tetor, ku do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministrin Edi Rama. Do të marrë pjesë edhe në forumin për investime në Ballkanin Perëndimor. Pastaj do të shkojë në Mal të Zi, e ditën e dytë edhe në Bosnje e Hercegovinë. Gjatë qëndrimit në Bosnje e Hercegovinë, Von der Leyen do të vizitojë edhe qendrën memoriale në Srebrenicë, ku forcat serbe në korrik të vitit 1995 kishin kryer gjenocid.
Para se të vijë në Kosovë të mërkurën, Von der Leyen do të jetë në Beograd për t’u takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin Maçut. Vizitën treditëshe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Von der Leyen do ta përmbyllë me qëndrimin në Shkup, ku do të takohet me udhëheqësit shtetërorë të Maqedonisë së Veriut.
Do të jetë kjo vizita e saj e parë në rajon në mandatin e dytë në krye të Komisionit Evropian. Ajo ishte në Kosovë edhe para një viti, më saktësisht më 24 tetor, në fund të mandatit të saj të parë. Por që atëherë dihej se ajo do të jetë në krye të Komisionit Evropian edhe për një mandat të ri pesëvjeçar.
Vizita e para një viti e saj në Kosovë ishte plot entuziazëm. Ajo, në konferencë për shtyp, pati shprehur urime për qeverinë dhe kryeministrin Kurti për një punë të mrekullueshme në agjendën e reformave dhe kishte premtuar se, deri në fund të atij viti, pra të vitit 2024, Komisioni do të realizojë pagesën e parë në vlerë prej mbi 60 milionë eurosh për Kosovën nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Por tash, Von der Leyen do ta gjejë Kosovën në një situatë krejt të ndryshme, në një ngërç politik, i cili ka ndikuar edhe në raportet e Kosovës me BE-në, sidomos në përfitimet nga pakoja e rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Kjo ka ndikuar që pagesa e mjeteve të para të financimit nga pakoja e rritjes jo vetëm të mos realizohet në vitin 2024, por të mos mund të realizohet as këtë vit, e pikëpyetje është se kur do të mund të realizohet. Kosova, në këtë mënyrë, po e paguan çmimin e mungesës së një Kuvendi të konstituuar dhe një qeverie e cila do të mund të kryente miratimin dhe ratifikimin e marrëveshjes me BE-në për pagesat nga ky plan. Kosova, krahas Bosnje e Hercegovinës, ka mbetur e vetmja që nuk i ka marrë pagesat e para nga ky plan./KOHA/Katror.info