Betim Fazliji është prej lojtarëve të rëndësishëm të Kosovës. Për përfaqësuesen ai megjithatë nuk ka luajtur që nga 12 tetori i vitit të kaluar. Për skuadrën e tij, St. Gallenin, Fazliji nuk ka luajtur që nga 17 nëntori i vitit të kaluar. Ai pësoi lëndim të rëndë të ligamenteve dhe është ende në fazë të rikuperimit.
Fazliji luan në pjesën defansive të mesfushës, ku Kosova vazhdon të ketë telashe, por edhe në mbrojtje.
25-vjeçari tashmë është kthyer në stërvitje të St. Gallenit, por shmang situatat një kundër një.
“Gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Kishte shumë dëm në gjurin tim. Por, jam shumë afër synimit”, ka thënë Fazliji për “Blue Sport”.
Fazliji i ka 20 ndeshje për Kosovën. Në shumë prej tyre ishte startues. Si futbollist është rritur te St. Galleni. Në verën e vitit 2022 ishte transferuar te St. Pauli në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Por pas vetëm një edicioni në Gjermani, u kthye te St. Galleni dhe firmosi për katër vjet. Ka kontratë deri në vitin 2027.
“Nuk ishte vetëm ligamenti krucial, por edhe dy meniskët”, ka treguar Fazliji për mediumin zviceran.
Pas lëndimit, në fushë të futbollit kishte shkelur për herë të parë pesë muaj më herët.
“Në aspektin fizik ishte shumë herët. Gjatë kësaj periudhe kam mësuar shumë si person. Kur të kthehem në fushë do të jem shumë i lumtur”, ka thënë reprezentuesi i Kosovës.
Ai nuk e di saktësisht se kur do të kthehet. Por, nuk pret që kthimi në fushë të shtyhet shumë.
“Po ndihem shumë mirë. Po ushtroj shumë në fushë. Në stërvitje të skuadrës marr pjesë pjesërisht. I shmang duelet. Gjendja duket mirë”.
St. Galleni të martën fitoi 4:1 ndaj Zuerichut. Kjo skuadër ka nisur mirë edicionin në Superligën e Zvicrës, ndërsa me Fazlijin do të jetë edhe më e fortë. Ai vlerësohet lart te St. Galleni. Pjesë e kësaj skuadre janë edhe Bastien Toma e Albert Vallçi.
Në shtatë ndeshje, St. Galleni i ka katër fitore, një barazim e dy humbje./Katror.info