Në kuadër të edicionit të 22-të të Javës së Bibliotekës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës prezantoi për publikun katalogun e posaçëm “Thesaret e BKK-së”, një botim që sjell në dritë pasurinë e rrallë të fondit të saj – librat, dorëshkrimet, shtypin e vjetër, hartat, fotografitë dhe librat muzikorë që dëshmojnë historinë dhe identitetin kulturor shqiptar ndër shekuj.
Katalogu, i cili përmbledh vlera të veçanta bibliografike dhe historike, thekson rolin e pazëvendësueshëm të mërgatës shqiptare në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare në periudhat kur mungonte një shtet shqiptar dhe një gjuhë e njësuar.
Në fondin e Bibliotekës ruhen disa prej veprave më të vjetra e më të rralla të trashëgimisë sonë letrare e kulturore, si: Skënderbeu (1533), Contarini (1573), Erveheja (1888), Mirëvetja (1886), Abetare e gjuhës shqipe (1900), Bagëti e bujqësia (1910), Cilët janë shqiptarët (1911) dhe Thirrje shqiptarëve (1926).
Ndër revistat dhe gazetat më të hershme që ruhen në këtë fond janë: Fiâmuri i Arbërit (1883–1887), Drita (1884), Dituria (1884), Yll’ i Shqipërisë (1899), Dielli (1909), Zgjimi (1914) dhe Shkumini (1921).
Ky botim, i iniciuar me ide të drejtoreshës së përgjithshme Blerina Rogova Gaxha, është përgatitur nga ekipi i përkushtuar i Divizionit të Koleksioneve të Veçanta: Bedrije Mekolli, Blerta Krasniqi, Gjyle Krasniqi, Diana Topalli dhe Edona Munishi. Përshkrimi bibliografik dhe redaktimi janë bërë nën kujdesin e Shkëndije Pajazitit, shefe e Bibliografisë, ndërsa organizimin e përgjithshëm e ka udhëhequr Berat Dakaj, shef i Divizionit të Informacionit. Procesi i skanimit është realizuar nga Dalif Saiti, Bujar Mehmeti dhe Valdet Hoti.
“Pa thesaret e ruajtura në fondin e saj, një bibliotekë kombëtare nuk mund të përmbushë misionin si kujtesë e kombit”, theksohet në prezantimin e katalogut, i cili synon të ribotohet dhe të pasurohet me tituj të rinj nga trashëgimia e çmuar që ruan Biblioteka Kombëtare e Kosovës.
Ky publikim vjen si një dëshmi e qartë se ruajtja e dijes, kulturës dhe historisë është një mision kombëtar, që i përket të gjithë qytetarëve dhe brezave që do të vijnë./Kultplus/Katror.info