Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, së bashku me Zëvendësguvernatorin Cakaj dhe anëtarë të delegacionit të BQK-së, zhvilloi një takim me znj. Catriona Purfield, Drejtoreshë e Institutit për Zhvillim të Kapaciteteve në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), për të diskutuar projektin e ri të Asistencës Teknike. Ky projekt synon të forcojë kornizat makroekonomike dhe kapacitetet analitike të BQK-së, duke kontribuar në stabilitetin dhe efektivitetin e politikave financiare të vendit.
Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për avancimin e vendimmarrjes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë institucionale. Znj. Purfield shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen e Guvernatorit si panelist në sesionin e nivelit të lartë mbi forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar, duke riafirmuar angazhimin e FMN-së për një bashkëpunim të frytshëm dhe zbatimin e suksesshëm të projektit.
Ky hap i ri shënon një përparim të rëndësishëm në konsolidimin e stabilitetit financiar të Kosovës dhe rritjen e kapaciteteve institucionale për menaxhimin e sfidave ekonomike të ardhshme./Katror.info