Në prill 1993, revista muzikore Select shfaqi këngëtarin e grupit Suede, Brett Anderson në kopertinë me një flamur të Mbretërisë se Bashkuar në sfond shoqëruar me titullin “Yanks shkoni në shtëpi!”.
Çështja përfshinte veçori mbi grupet Suede, The Auteurs, Denim, Saint Etienne dhe Pulp me nëntitullin “Beteja për Britaninë” dhe ndihmoi në fillimin e idesë së një lëvizjeje.
Termi Britpop u krijua nga gazetari Stuart Maconie në një polemikë të gjatë rreth gjendjes së muzikës Grunge në revistën Select.
E stilizuar si një letër e zemëruar drejtuar këngëtarit të Nirvana-s, Kurt Cobain, Maconie shkroi: “Mjaft është mjaft! Yanki shkoni në shtëpi! Dhe merrni me vete veshjet tuaja të mjera grunge dhe bandat tuaja të fiksuara pas vetes.”
“Ne nuk duam batanije. Ne duam crimplen (polister), shkëlqim, zgjuarsi dhe ironi.”
Britpop, i viteve 90-a shumë shpejt u përhap në tërë botën muzikore, por termi mbetet Britpop. Shkurtimisht, kjo është muzika britanike kryesisht me shumë kitara që merr frymëzim në vitet ’60 nga grupe të tilla si Beatles, XTC, The Kinks, Pink Floyd të hershëm ose T. Rex, Ray Davies nga grupi Kinks konsiderohet si kumbarë i Britpopit.
Britpop, ishte një emër që i atribuohej një larmie të gjerë stilesh të reja të rokut alternativ nga Mbretëria e Bashkuar që fokusohej në muzikën më të lehtë dhe më melodike, përgjithësisht në atë që lëvizja u kthye te kanuni i rokut të viteve ’60-ta për nga frymëzimi i përgjithshëm estetik dhe zanor.
Vala në tërësi u formua si një reagim kundër skenës së atëhershme masive amerikane Grunge që kishte vërshuar në muzikën britanike dhe evropiane, dhe si reagim ndaj tingullit emocional, riff të rëndë të ‘grunge’. Britpop ishte po aq i drejtuar nga kitarat, por me një estetikë më të lehtë, shkrim këngësh më të këndshme dhe nostalgji më infektive.
Përveç Grungut edhe skenat lokale të Shoegazing që ishin dominuese në nëntokën britanike për disa vjet deri në atë moment ishin po ashtu influencat e këtij fenomeni kulturor.
Të dy stilet muzikore ishin bërë famëkeqe për atmosferat e tyre lirike vetë-zhvlerësuese, të zemëruara dhe të turpshme dhe përgjithësisht për tingujt e zhurmshëm dhe jokomercialë, duke rezultuar në thirrjen e tyre për një stil të ri në muzikë dhe një ndryshim të përgjithshëm. Kjo lëvizje doli së bashku me një fenomen të ri kulturor të njohur si Cool Britannia, i cili kërkoi të adhuronte kulturën dhe historinë britanike.
Britpop shpesh përmendet si një lëvizje kulturore pasi Britania po kërkonte dëshpërimisht për një identitet muzikor në vitet ’90-ta dhe ishte Britpop ai që vuri në lëvizje kulturën britanike për disa vite.
Ishte një fenomen që vuri në pah grupet që dolën nga skena e pavarur muzikore e fillimit të viteve ‘90. Edhe pse shpesh shihet si një moment kulturor dhe jo një zhanër i veçantë, ndërsa muzika ishte fokusi kryesor, moda, arti dhe politika gjithashtu u përfshinë, sidomos politika me Tony Blair dhe laburistët e rinj, të cilët shpejt u rreshtuan pas kësaj “lëvizjeje”.
Përveç ndikimeve muzikore, kishte më shumë karakteristika dalluese që i dallonin këta muzikantë nga pjesa tjetër e skenës aktuale në atë kohë. Përdorimi i referencave britanike dhe deklaratave politike brenda këtyre këngëve ishte një frymë e freskët për fansat e muzikës britanike që kishin pritur për një lloj lirike më të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë.
Mund të thuhet se kjo periudhë kohore në muzikë nisi me një grup në veçanti, Suede. Albumi debutues i grupit u definua si rock glam por po ashtu edhe si punk, të cilat të kombinuara krijuan një lloj muzike rock që nuk ishte dëgjuar më parë.
Debutimi i Suede, i lëshuar në 1993, u shit jashtëzakonisht mirë.
Aq mirë madje, sa theu rekordin për shitjen më të shpejtë ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, ishte viti 1994 që do të bëhej një vit përcaktues për Britpop. Këtë vit, të dy grupet më të njohura të epokës publikuan albumet e tyre rivale dhe termi ‘Britpop’ filloi të përdorej gjerësisht, në shtyp, në radio dhe televizion, duke e çimentuar këtë term në ekzistencë.
Blur publikoi albumin e tyre të tretë “Parklife”, i cili i bëri ata grupin më të njohur në Britani për një kohë atë vit. Ndërkohë Oasis publikoi “Definitely Maybe”, album debutues i cili tejkaloi pritjet dhe theu rekordin e Suede për albumin më të shitur në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 1995, Pulp publikoi albumin “Different Class”, i cili arriti numrin një, dhe përfshinte këngën “Common People”.
Albumi u shit mbi 1.3 milion kopje në Mbretërinë e Bashkuar.
Një betejë mes Blur dhe Oasis, e quajtur “Beteja e Britpop”, e solli lëvizjen në ballë të shtypit britanik më 1995. Grupet fillimisht kishin lavdëruan njëri-tjetrin, por gjatë rrjedhës së vitit antagonizmat mes të dyve u rritën.
Të nxitur nga media, ata u angazhuan në atë që revista NME e quajti në kopertinën e saj “Kampionati britanik i kategorive të rënda” me publikimin në pritje të këngës “Country House” të Blur dhe “Roll with It” të Oasis në të njëjtën ditë. Beteja i vuri dy grupet kundër njëri-tjetrit, me konfliktin sa për ndarjet klasore dhe rajonale britanike, aq edhe për muzikën. Oasis u mor si përfaqësues i Veriut të Anglisë, ndërsa Blur përfaqësonte Jugun.
Ngjarja tërhoqi imagjinatën e publikut dhe mediave ndërsa Mbretëria e Bashkuar (dhe bota) e morën parasysh këtë “bela” dhe Oasis edhe Blur ishin në faqen e parë të pothuajse çdo reviste, tabloidi dhe gazete. Ndërsa këto këngë të vetme u larguan nga raftet në dyqanet e disqeve anembanë vendit, Britpop si zhanër po fitonte një audiencë mbarëbotërore. Pavarësisht rivalitetit, të dy grupet lanë një gjurmë të pamohueshme në muzikën britanike. Ata ndihmuan në përcaktimin e Britpop-it duke festuar identitetin britanik, humorin dhe rrënjët e klasës punëtore.
Për vitet e ardhshme, grupet indie sunduan listat si kurrë më parë. Deri në vitin 1996, të pesë të nominuarit për albumin më të mirë në Brit Awards kishin një lidhje me zhanrin.
Oasis fitoi me albumin e tyre të dytë, “What’s The Story (Morning Glory)”. Por konkurrenca ishte po aq e denjë – nga Pulp “Different Class”, Blur “The Great Escape”, Paul Weller “Stanley Road” dhe Radiohead “The Bends”. Albume të cilët sot konsiderohen antologjikë në muzikën britanike.
Radiohead gjithmonë qëndronte pak larg nga Britpop dhe ishte ajo ura fenomenale që e lidhte Grungun me Britpopin pjesërisht sepse ata shpenzuan kaq shumë kohë duke bërë turne në SHBA, sytë e tyre asokohe ishin në caqe shumë më të larta sesa listat britanike.
Në një epokë kur muzika rock përmendej vetëm nëse dikush nga veteranët e rokut kishte vdekur, 2.5 milion njerëz që ishte 2 për qind e popullatës britanike aplikuan për bileta për të parë Oasis në Knebworth për dy koncerte dhe u shiten 250 mijë bileta brenda 24 orëve.
Definitivisht, Britpop dominoi peizazhin muzikor. Shumë shpejt në tërë botën filluan të paraqiten grupe me tingull të ngjashëm. Në Shtetet e Bashkuara ku Grunge ngadalë tërhiqej nga rrymat kryesore grupet me tingull Britpop krijuan një subkulturë të atjeshme. Ngjashëm ndodhte edhe në Evropë.
Si fansat edhe performuesit e Britpopit estradën muzikore e përbuznin dhe e nënçmonin duke e konsideruar si të pakuptimtë, vetëm për argëtim dhe të zbrazët. Sipas tyre brezi i cili dëgjon muzikë ku vajtohet për dashuritë e parealizuara dhe nuk krijon qëndrim ose mendim kritikë ndaj situatave rreth tyre, është brez me të cilin lehtë manipulohet.
Shpesh herë ishin edhe agresivë ndaj kolegëve të tyre nga zhanret tjera dhe incidentet nuk mungonin. Në BRIT AWARDS më 1996 superylli botëror Michael Jackson performonte hitin e tij “Earth Song” (Kënga e tokës). Imazhet e fëmijëve të uritur po projektoheshin në një ekran ndërsa aktorët në përgjithësi fëmijë me një koreografi patetike fillojnë të adhurojnë altarin që ishte Jackson, derisa Jarvis Cocker këngëtari i grupit Pulp shfaqet në skenë dhe përkulet për të tundur prapanicën e zhveshur para ekraneve, në Televizionin kombëtar live, në shenjë të irritimit se Jackson paraqitej si Jezusi para fëmijëve të uritur. Gjithë paraqitjen e konsideronte kiç dhe keqpërdorim të fëmijëve. Ai u arrestua, por kurrfarë padie nuk ngrihet ndaj tij.
Noel Gallagher nga Oasis disa herë e ofendon Robbie Williams, asokohe këngëtar i Take That, duke e konsideruar si një argëtues ordiner e kurrfarë artisti. Vëllezërit kontravers, Gallagher po thuaj ishin në konflikt të vazhdueshëm me tërë estradën, por edhe me njëri tjetrin që çoi në shpërbërjen e grupit. Grindjet mes tyre zgjasin me vite.
Brezi i lindur në fillim të viteve 1980 dhe i rritur me Britpop në vitet 1990 është i orientuar drejt preferencave më të mëdha në krijimin dhe dëgjimin e muzikës, si në aspektin cilësor ashtu edhe në përmbajtje.
Punk ndërpreu lëvizjen Hipi dhe Punk u zëvendësua nga Grunge e cila u ndërpre nga Britpop. Gjithë këto momente muzikore që kanë komunikuar me publikun përtej asaj që është vetëm muzikë. Deri më tani Britpop mbetet zhanri i fundit dhe si lëvizja kulturore që komunikon me brezin e vet në një kuptim emancipues.
Pas Britpop-it, media u përqendrua në grupe që ishin krijuar, por ishin anashkaluar për shkak të fokusimit në lëvizjen Britpop. Grupet si Radiohead dhe Verve, Travis, Stereophonics, Feeder, Arctic Monkeys dhe veçanërisht Coldplay, që megjithatë ishin derivate të Britpopit arritën sukses më të gjerë ndërkombëtar se shumica e grupeve Britpop, që i kishin paraprirë, dhe ishin disa nga aktet më të suksesshme komerciale të fundit të viteve 1990 dhe fillimi i viteve 2000, por nuk janë të fragmentizuar në një fenomen kulturor që do të komunikonte me brezin e ri ashtu siç ka komunikuar Britpop. Pa një lëvizje të tillë rryma kryesore në muzikë mbetet estrada e cila argëton dhe thyen rekorde në klikime dhe vizita pa një vizion për ndryshime për brezin që po vjen.
Por, përpjekja për një frymë të re prapë vjen nga vëllezërit Gallagher nga grupi Oasis. Më 27 gusht 2024, pothuajse 15 vjet nga data e ndarjes së tyre dhe mos komunikimit total prej vitit 2009, Oasis njoftoi se do të riformohet për koncerte në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë në korrik dhe gusht 2025, duke deklaruar “Armët kanë heshtur. Yjet janë rreshtuar, pritja ka mbaruar. Ejani ta shihni, nuk do të transmetohet në televizion”. Ish anëtarët e tjerë Alan White dhe Gem Archer gjithashtu konfirmuan përfshirjen e tyre në ribashkim.
Turneu i rikthimit i Oasis është shitur për të gjitha 17 datat. Më shumë se një milion bileta u shitën brenda pak orësh, kur shumë fansave iu desh të prisnin deri në 10 orë për të hyrë në radhë në internet. Mbetet për t’u parë nëse ky rikthim do të kthehet në diçka të re apo do të mbetet vetëm një rikujtim nostalgjik i njërit nga invazionet kulturore nga Britania dhe kohës kur muzika jo vetëm na argëtonte por edhe na mësonte diçka./Katror.info