Bunkeri i ndërtuar në kohën e Jugosllavisë në lagjen Ulpiana të Prishtinës është duke u transformuar në një Qendër të Artit dhe Kulturës, e cila pritet të hapet në muajin shtator, shkruan Katror.info.
Ky projekt është pjesë e iniciativës “Creative Industries”, e mbështetur nga UNDP dhe Ambasada e Dukatit të Madh të Luksemburgut në Prishtinë.
Objekti dikur i destinuar për strehim emergjent, me hapësira të brendshme prej mbi 600 metra katrorë, do të shndërrohet në një hapësirë të gjallë për ekspozita, performanca, dhe aktivitete komunitare, duke ofruar mundësi të reja për artistët dhe qytetarët. Iniciativa synon të nxisë zhvillimin kreativ lokal dhe përfshirjen qytetare përmes artit dhe kulturës.
Kjo nismë përfaqëson një bashkim mes trashëgimisë historike dhe inovacionit bashkëkohor, duke kthyer një strukturë të së kaluarës në një simbol të transformimit urban dhe zhvillimit të qëndrueshëm komunal në kryeqytet./Katror.info