Christian Bale dhe Bradley Cooper po bashkohen sërish pasi kanë punuar së bashku në komedinë American Hustle në vitin 2013. Aktorët e famshëm do të luajnë rolet kryesore në filmin historik Best of Enemies, raporton Empire.
Filmi është një adaptim i librit “Best of Enemies: The Last Great Spy Story of the Cold War”, shkruar nga Gus Russo dhe Eric Dezenhall. Libri përshkruan historinë e vërtetë të dy spiunëve të Luftës së Ftohtë – Jack Platt, një agjent i CIA-s dhe Genadi Vasilenko, një agjent i KGB-së.
Të dy spiunët mbërritën në Uashington në vitin 1978 dhe detyra e tyre kryesore ishte të nxisnin rivalin e tyre të tradhtonte vendin e tij. Por atë që ndodhi, askush nuk e priste. Platt dhe Vasilenko u bënë miq për një kohë të gjatë dhe vite më vonë së bashku ekspozuan agjentin e “fjetur” sovjetik, Robert Hanssen.
Sipas përmbledhjes zyrtare, “nëpërmjet syve të tyre ne shohim ndryshimin midis metodave të spiunazhit rus dhe amerikan, si dhe lindjen e dhimbshme të një Rusie të re, udhëheqësi i së cilës, Vladimir Putin, ëndërron të kthehet në idealet e Bashkimit Sovjetik të vjetër”.
Nuk dihet ende se kush do ta drejtojë filmin, por supozohet se stafetën e regjisorit do ta marrë Cooper, i cili drejtoi filmat e mirënjohur A Star Is Born dhe Maestro.
Kompanitë më të pasura të prodhimit, si Apple dhe Netflix, aktualisht po konkurrojnë për këtë film. /Katror.info