Një listë e mirë me plot ngjarje të mira për këtë jave. Ku me shku, çka me pa, çka me dëgju e lexu? Ky është edicioni i 25-të i Monday Marks me propozime dhe rekomandime nga më të llojllojshmet.
Koxha javë aktive po ju pret, me shumë ngjarje të mëdha, prej festivalit të njohur të dizajnit grafik REDO dhe premierës së shfaqjes “Makbeth” nga Teatri Kombëtar, e deri tek festivali i kitarës në Prishtinë dhe një bashkëbisedim me artistin e mirënjohur shqiptar Adrian Paci. Genc Salihu pas shumë vitesh doli me një super single që jemi duke e kënduar tërë kohën, ndërsa po ju ftojmë ta lexoni edhe revistën “Zâ” të botuar nga Fondacioni Jahjaga si dhe të zbukuroheni ka pak me bizhuteritë e bukura nga studio “Made by Labeata”. Gjithçka për gjithkend!
Me marrë pjesë: Festivali REDO, Prishtinë
Një super festival po e mban këtë javë edicionin e dymbëdhjetë (nga 4 deri 10 tetor). Fjala është për REDO, eventin vjetor ndërkombëtar të dizajnit grafik dhe arteve pamore në Prishtinë (me një brendim dhe postera karikatural gjithmonë funny).
Gjatë tre ditëve, REDO mbledh në Prishtinë dizajnera dhe artistë nga e gjithë bota. REDO përmban një përzimje bisedash, muzikë të mirë (nga kolektivi SERVIS), libra dhe turne në qytet, tu ofru një mundësi për pjesëmarrësit të lidhen, të ndajnë eksperiencat e tyne profesionale, të bashkëpunojnë dhe të mësojnë nga njëri-tjetri. Ndërsa për neve amaterat, është inspiruese me i pa dizajnet, librat, revistat dhe produket tjera të artit pamor nga emra të mëdhaj nga Kosova dhe bota. Eventi mbahet kryesisht në Kino Armata, ndërsa biletat i gjeni te Rave.
Me pa: Premiera e “Makbeth”, Prishtinë
Një premierë e madhe e një shfaqje të madhe me aktorë të mëdhaj. Kush s’ka dëgju për Makbethin, tragjedinë nga Uilliam Shekspiri që ndjek ngritjen dhe rënien e Makbethit, një fisniku amicioz skocez? Nën ndikimin e profecive të tri shtrigave dhe të gruas së tij poashtu ambicioze, tipi e vret mbretin me ja marrë fronin. Ngjarjet që pasojnë janë plot me faj, çmenduni dhe dhunë, e që natyrisht përfundojnë me shkatërrimin e tij të pashmangshëm.
Përkthimin e parë shqip e ka bo para një shekulli mjeshtri ma i madh Fan Stilian Noli, i cili për Makbethin në “Introduktën” e tij thotë: “Asnjë vepër teatrale nuk përmbledh në një vend aq të ngushtë nje gjëmë aq të madhe prej ngjarjesh tronditëse dhe ngjethëse sa “Makbethi”, tragjedia më e tmerruar që ka dalë nga pena demoniake e Shekspirit.”
Aktorët janë who-is-who e skënës tonë: Adrian Morina, Gresa Pallaska, Shkelzen Veseli, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca, Semira Latifi, Faris Berisha, Ermal Sadiku, Tristan Halilaj, Flaka Latifi, Fiona Abdullahu, etj. Regjisor është Qendrim Rijani. Kompozitor është Trimor Dhomi, me orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.
Me pa: Ekspozitë personale Lala Meredith Vula, Prishtinë
Lala Meredith Vula është një artiste dhe fotografe shqiptaro-britanike, e njohun për punën e saj që përfshin tema të natyrës, identitetit dhe trashëgimisë kulturore. Nëse keni qenë ndonjëherë në restoranin e njohun të Prishtinës “Renesansa”, i keni pa tash e shumë vjet ca foto të bukura të skenave të moçme të grave që lahen të zhveshuna.
Tash Meredith-Vula po vjen me serinë “Bathers”, me ekspozitë në objektin e Hamamit të vjetër në Prishtine. Fotot janë t’bome në fund të 1980-ave me një hamam funksional dhe ka me qenë interesant me i pa në kontekstin e hapësinës së hamamit aktual që po shërben si galeri artesh. Ekspozita hapet me një bashkëbisedim në mes Lala Meredith Vula dhe gazetares Jeta Xharra, që do të mbahet të martën më 1 tetor në ora 17:00.
Me dëgju: “Ti nuk je normal”, Genc Salihu
Genc Salihu është njani prej muzikantëve ma të spikatun dhe të talentum të skenës knej e anej kufinit, i njoftun për kreativitetin dhe aftësinë me eksperimentu me tinguj. Muzika e tij është një përzimje e ndjeshme midis rock dhe pop ama gjithmonë me elemente alternative, gjithmonë me tekste të thella, pak quirky, dhe melodi që prekin. Genci ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në skenën muzikore shqiptare, e tash mas do vjetve po vjen me një kangë me sound fresh me twists & turns genciane, të titullum “Ti nuk je normal” (me super video përcjellëse) – deklaratë që nashta doket e tepërt me një kohë jo bash normale dhe vend jo bash normal ku po jetojmë.
Ama kanga dhe Genci kurrë nuk janë kurrë të tepërt. Ngojeni.
Me dëgju: Prishtina Guitar Week
Eventi tanë-javor Java e Kitarës në Prishtinë tashme ka nisë po mundeni me i nxan dy ditët e fundit me performansa dhe master klasa dedikum instrumentit kryesor të muzikës së këtij dhe shekullit të kalum: kitarës. Koncertet mbahen në kishën e Shën Ndout në Ulpianë. Me 1 tetor ka perfromance të mjeshtrit Łukasz Kuropaczewski, ndërsa me 30 shtator (sonte) keni recital të Petra Poláčková.
Me lexu: Revista “ZA”
Presidentja Atifete Jahjaga dhe fondacioni i saj me emën të njejtë bojnë punë t’mira, përfshi botimin e revistës ZA. Kjo revistë sjellë tregime të jashtëzakonshme të grave dhe përpjekjeve të ndryshimit të narracionit rreth barazisë gjinore. Sipas botuesit, “kuptimi i emrit të revistës është i dyfishtë – në shqip i referohet zait të grave dhe avokuesve të barazisë gjinore, ndërsa në serbisht do të thotë “për” që është dedikim për të gjithë gratë dhe burrat që punojnë vazhdimisht dhe ju bëjnë ballë sfidave të ndryshme për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë.”
Numri i ri sjell në ballinë rrëfimin për rrugëtimin e shef Florina Skejës me restoranin e saj familjar Thana. Revistën e gjeni në libraritë qendrore.
Me bisedu: Adrian Paci në Reporting House, Prishtinë
Paper Gallery në bashkëpunim me Reporting House (objekti i ish-shtëpisë së mallnave Germia) po sjellin bisedë me Adrian Paci rreth nismës së tij “Centro di permanenza temporanea 2007”. Paci është super artist shqiptar që jeton në Itali. Punimet i ka të famshme, do prej tyne kanë gjetë vend edhe në filma holivudian dhe galeri të njoftuna botërisht. Sipas njoftimit zyrtar nga Paper Gallery: “Nga pafajësia e fëmijërisë drejt nisjes shoqërore e deri te një zë i pjekur rezonancë politike, Paci pikturon peizazhin e një subjekti etik në momentin e bërjes dhe tranzicionit. Vepra e tij është një anatomi e dëshirës politike: nga një rrëfim i shpronësimit dhe mërgimit përmes një rituali të përkatësisë dhe identifikimit deri te mekanika e vetëfuqizimit dhe emancipimit.” Biseda mbahet me 02.10.2024 në ora 17.00.
M’u zbukuru: Bizhu/aksesoarë “Made by Labeata”, Prishtinë
Vera po ik, ama s’do me thanë qe s’mundeni me bajt pak atmosferë dhe estetikë verore, mesdhetare kur të dilni vjeshtës. Dizajnerja e bizhuterive Anila Krasniqi dhe studio “Made by Labeata” tash e disa vjetë prodhojnë vadhë, qafore, aksesoarë tjerë të lezeçem punëdore, lozonjare, që na perkujtojnë ditët e gjata, netët e nxehta dhe pjesët e trupit të zhveshuna nën flladin veror. Na jemi fansa sidomos të vathëve, por gjithsesi ju rekomandojmë t’a hulumtoni pak shopin në instagram, se sagllam keni me gjetë diçka per vehte apo për dhuratë për dikon që e doni, se punimet e Anilës janë të bome me dashni./Katror.info
Marrë nga Suzanne Podcast.