CrossRoads Festival do të zhvillohet këtë verë më 18, 19 dhe 20 korrik në Han të Elezit, duke sjellë një program të pasur artistik, kulturor dhe edukativ që synon të bashkojë njerëz nga kultura dhe vende të ndryshme.
Organizatorët e festivalit kanë bërë të ditur se ngjarja do të ofrojë aktivitete të ndryshme si hiking, muzikë live, workshope, galeri arti dhe mapping vizual, si dhe aktivitete interaktive në fushat e shkencës dhe teatrit, raporton Katror.info.
CrossRoads synon të shndërrohet në një pikë takimi për të rinj, artistë, komunitete lokale dhe ndërkombëtare, duke promovuar bashkëjetesën kulturore dhe eksplorimin e përbashkët.
Zgjedhja e Hanit të Elezit si lokacion i këtij edicioni nuk është e rastësishme. Ky qytet, i vendosur në kufi dhe historikisht i njohur si një pikë lidhëse mes komuniteteve fqinje, përfaqëson më së miri frymën e festivalit.
Me moton e këtij viti “The Paths We Walk Together”, festivali fton pjesëmarrësit të bëhen pjesë e një rruge të përbashkët ku arti, aventura dhe shkëmbimi kulturor krijojnë një përvojë unike./Katror.info