Kur David Gilmour i Pink Floyd në qershor 2019 shiti të gjitha 126 kitarat e tij për një rekord 21 milionë dollarë në një ankand bamirësie në Nju Jork, duke përfshirë “The Black Strat”, Fender Stratocaster i Vitit 1969, të cilin Gilmour e përdori për të incizuar albumet e Pink Floyd.
“The Dark Side of the Moon”, “Wish You Were Here”, Animals” dhe “The Wall” u shitën për 3.9 milionë dollarë dhe kitarën Strat me numër serik 0001 për 1.8 milion dollarë për të luftuar kundër ndryshimeve klimatike. Dashamirët e muzikës e sidomos fansat e tij dhe veçanërisht fansat radikalë të Pink Floyd ishin të zemëruar dhe të dëshpëruar. Kitarat të cilat shumicën prej tyre i ka ripunuar vetë Gilmour për efektivitet më të mirë në tingull e që i dhanë ngjyrë muzikës moderne, si për turp përfunduan në muret e koleksionistëve, do të thoshin muzikëdashësit.
Po, ranë dakord, është bamirësia fisnike që e bën rrallë kush, më shumë se 21 milionë dollarë për të shpëtuar planetin duke sakrifikuar dhe hequr dorë nga instrumenti me të cilin thuajse identifikohej qenia e David Gilmour, por dëshpërimi ishte edhe nga shqetësimi dhe mërzia se David Gilmour po tërhiqej nga muzika dhe se ky ankand i dha fund një epoke të muzikës nga më identifikuese dhe fenomenale të bazuar në kitarë.
Pesë vite më vonë David Gilmour na dëshmoi se zemërimi dhe dëshpërimi ishte i panevojshëm, ai u rikthye javën e kaluar me një album të ri “Luck and Strange” (Fati dhe çudia) dhe përsëri solli kitarat në qendër të vëmendjes muzikore.
“Luck And Strange” është albumi i pestë solo i David Gilmour që nga albumi debutues i tij i vitit 1978. Në vitet midis atij debutimi solo dhe “Luck And Strange”, Gilmour punoi në dy albume të Pink Floyd me Roger Waters dhe tre të tjerë pa të, duke u futur në albume solo sa herë t’i jepej rasti. Në shumicën e albumeve solo ai mundohet të shmangë ndikimin e grupit të tij të madh, “por një herë Floyd, gjithmonë Floyd”.
Nuk ka dëgjues që e përcjell muzikën dhe me tingullin e parë të kitarës në këtë album nuk i shkon mendja se ka të bëjë diçka me Pink Floyd. Kjo na bëhet e qartë menjëherë në hapje të albumit me instrumentalen “Black Cat” (Macja e zezë), hyrje 92 sekonda të mbushura me nota që sot rrallë dëgjohen në cilindo zhanër modern. Teksa nisi të bënte me zell “Luck and Strange”, Gilmour u shmang nga bashkëpunëtorët e mëparshëm si Phil Manzanera, Chris Thomas dhe Bob Ezrin nga Roxy Music dhe solli një fytyrë të re Charlie Andrew, një fitues i çmimit të Guild Producers Music.
Një nga pyetjet e tij të para gjatë punës së tyre – “A na duhet një solo tjetër kitarë këtu?” — e bëri të qartë se Gilmour ishte i hapur për gjëra të reja këtë herë (megjithëse të jeni të sigurt se ka shumë solo kitarë në album).
“Mungesa e tij për t’u mahnitur nga reputacioni im dhe mos njohja e punës sime më të mëhershme me Pink Floyd ishin një plus i madh për mua,” thotë Gilmour. “Pink Floyd nuk ishte një nga ndikimet e tij, thotë Gilmour në intervistën për Billboard.
“Unë nuk e dija në mënyrë specifike shumë nga veprat e tij të mëparshme dhe qëllimisht nuk u zhyta në të pasi thjesht doja ta shikoja me një këndvështrim të ri,” e vërteton Andrew.
Pjesë e suksesit të Pink Floyd ishte cilësia e tyre epike. Ata, në parim, nuk shkruanin këngë dashurie. Me kalimin e viteve, tekstet bëheshin gjithnjë e më pak personale dhe më shumë të shqetësuar për t’i treguar botës për gjëra të ndryshme. Edhe më vonë pas largimit të Roger Waters albumet e Pink Floyd dukeshin si deklarata nga një kokë gjigante me një shfaqje të mrekullueshme të dritës dhe diturisë.
Këngët e vetë Gilmour ishin më personale, por kur ai shkruante një këngë intime, shumë dëgjues supozonin se bëhej fjalë për ish kolegun në Pink Floyd me të cilin grinden me dekada, ndërsa në këtë album prapë e ndjek hija e ish kolegut tani më të ndjerë Rick Wright me të cilin ishte mik i mirë, por edhe në rrafshin muzikor bashkëpunëtor besnik.
“Luck And Strange” në këtë aspekt ndryshon shumëçka. Tekstet e Polly Samson, (bashkëshortja e Gilmour, shkrimtare në BBC e cila ka shkruar tekstet edhe gjatë periudhës të Pink Floyd pasi Roger Waters u largua nga grupi), gjithmonë e kanë bërë David Gilmour të tingëllojë më emocional, duke e vënë në përdorim më të mirë atë zë të madh shpirtëror dhe të bardhë.
Në këtë album, ajo rikthen gjithçka në nivelin njerëzor. Kënga “Sings” (xhevahiri në koronet e këtij albumi) është një tekst që nuk mund ta imagjinonit të këndohej në albumet e Pink Floyd, Gilmour këndon, “E Dashur ktheje orën mbrapa/ Më jep kohë, bëje që koha të ndalet/ në kontrast të këngës “Time” nga periudha me Pink Floyd ku këndohet se koha kalon, as nuk ndalet as nuk kthehet mbrapa.
David Gilmour ka pohuar në intervista se është gjëja më e mirë që ai ka bërë që nga “The Dark Side Of The Moon” me Pink Floyd, që është një pohim i fuqishëm. Megjithatë, albumi ka një konsistencë. Aty nuk ka këngë të dobëta, nuk ka suspencë dhe pritje se çka do të ndodhë momentin e ardhshëm edhe pse na mbanë në adrenalinë me fuqi të madhe emocionale. Albumi ka një element i cili bie në sy, të kaluarën e cila na përkujton çfarë kitaristi ka qenë Gilmour dhe se mosha nuk mund të vyshkë dhe as të ngecë shkëlqimin e pafund të të luajturit në kitarë të tij, gjë që dëshmohet kudo, nga prezantimi i shkurtër instrumental “Black Cat” (Macja e zezë) deri te madhështia e “A Single Spark” (Një skëndijë e vetme).
Kënga “Dark And Velvet Nights” (Netët kadife dhe të errëta) ka një hyrje epike që do të kishte tingëlluar shkëlqyeshëm në cilindo album të Pink Floyd.
Te kënga “Scattered” është një efekt (shumë i qëllimshëm) i tingullit të tastierës së sonarit nga kënga Echoes e Pink Floyd në nga viti 1971, e po ashtu rrahja e zemrës në fillim të këngës asocion në hyrjen e “Dark Side Of the Moon” nga 1973 të Pink Floyd (në këngë gjithashtu i jep një përkujtim Rick Wright në rreshta ” Një burrë qëndron në një lumë/ Shtyhet kundër përroit”).
“Luck And Strange” është album, që duke qenë ende shumë David Gilmour, njëkohësisht është një David Gilmour i rizbuluar.
Ndoshta shembulli më i mirë është “The Piper Calls” (Thirja e gajduesit), titulli asocion në albumin e parë të Pink Flloyd nga viti 1967 “The Piper at the Gates of Dawn”(Gajduesi në portat e agimit) por ajo fillon me një ndjenjë të perëndimi të diellit, dhe mjeshtrin në gjashtë fijet të telit të një univers në zgjerim, një kitarë rrëqethëse dhe bezdisëse që është ndoshta nga gjërat më muskulare që David Gilmour ka incizuar ndonjëherë.
I ngjashëm, por i ndryshëm është “Between Two Points” (Mes dy pikave), i cili nuk u shkrua nga Gilmour dhe Samson, (dhe kjo e bën të ndryshëm) por grupi indiepop “The Montgolfier Brothers”. Kënduar nga bija e tij Romany Gilmour me një zë të qartë por të largët, është një këngë e frikshme, një melodi e thjeshtë por e bukur me një tekst të zymtë për dikë që “u ndal së shpresuari në moshë të re”. Është një këngë e fuqishme, e errët që bie në sy në pozitivitetin e paqartë të pjesës tjetër të albumit.
Albumi u realizua gjatë pesë muajve në Studion Medina të Gilmour në Hove dhe në Studios British Grove të Mark Knopfler në Londër.
Në album kanë marrë pjesë muzikantët, Guy Pratt dhe Tom Herbert në bas, Adam Betts, Steve Gadd dhe Steve DiStanislao në bateri, dhe Rob Gentry dhe Roger Eno në tastierë. Orkestra dhe kori u organizuan nga Will Gardner dhe u incizuan në Katedralen Ely, Cambridgeshire. Gruaja e Gilmour, shkrimtarja Polly Samson, shkroi shumicën e teksteve, të cilat ajo tha se pasqyronin tema të vdekshmërisë dhe plakjes. Djali i tyre Gabriel kontribuoi me vokale mbështetëse, dhe djali tjetër Charlie kontribuoi me disa tekste të “Scattered” gjë që albumin e bënë paksa projekt familijar.
“Luck and Strange” përmban tastierë të incizuara nga tastieristi i Pink Floyd, Richard Wright, gjatë një sesioni në hambarin e Gilmour në 2007.
Gilmour ndërtoi këngën rreth pjesës që kishte mbetur pas Richard Wright duke thënë se “filloi të zhvillonte një thellësi në ndjeshmërinë e tingullit nga tastierat e Wright që e kishte harruar më parë.”
David Gilmour është kitarist, multiinstrumentalist, kompozitor dhe këngëtar autodidakt. Prindërit e Gilmour-it e inkurajuan atë të ndiqte interesin e tij për muzikën, dhe në vitin 1954 si 8 vjeçar ai bleu pllakën e tij të parë, Bill Haley’s “Rock Around the Clock”.
Entuziazmi i tij u nxit një vit më vonë nga “Heartbreak Hotel” i Elvis Presley, dhe më vonë “Bye Bye Love” nga Everly Brothers që zgjoi interesin e tij për kitarën. Ai huazoi një kitarë nga një fqinj, por nuk ia ktheu kurrë. Menjëherë pas kësaj, Gilmour filloi të mësonte veten për të luajtur duke përdorur libra dhe pllaka të ndryshme muzikore. Në moshën 11-vjeçare, Gilmour filloi të ndiqte shkollën “Perse” në Hills Road, Kembrixh, të cilën nuk e pëlqeu. Atje u takua me themeluesit e Pink Floyd, Syd Barrett dhe Roger Waters.
Në vitin 1962, Gilmour filloi të studionte gjuhët moderne në Kolegjin e Arteve dhe Teknologjisë në Cambridgeshire. Pavarësisht se nuk e mbaroi as këtë shkollë, ai mësoi të fliste rrjedhshëm frëngjisht. Barrett ishte gjithashtu student në kolegj, dhe ai i kalonte drekat e tij duke praktikuar kitarë me Gilmour. Ai dhe Barrett më vonë shkuan në Paris, ku fushuan jashtë qytetit dhe vizituan Luvrin. Gjatë kësaj kohe, krahas kitarës Gilmour punoi në vende të ndryshme, më së shumti si shofer dhe asistent për stilistin e njohur Ossie Clark.
Ai në mes të viteve 1980 bëhet edhe pilot i çertifikuar, fakt që i shërben për komponimin e këngës “Learning to Fly” për albumin “Momentary Lapsy of Reason” nga Pink Floyd më 1987. Sipas MusicRadar, Gilmour është “një emër i madh në botën e kitarave dhe pa dyshim që falë mjeshtërisë së tij kitara ka luajtur rol të madh në zhvillimin e muzikës moderne. Për shumë adhurues më të rinj të kitarës ai është i vetmi kitarist i viteve 1970 që ka rëndësi.
Në vitin 1996, Gilmour u fut në Rock and Roll Hall of Fame si anëtar i Pink Floyd. Ai është renditur si një nga kitaristët më të mëdhenj të të gjitha kohërave nga botimet duke përfshirë Rolling Stone, dhe The Daily Telegraph. Në janar 2007, lexuesit e Guitar World votuan solo të Gilmour për “Comfortably Numb”, “Time” dhe “Money” midis 100 solove më të mira të kitarës. “Comfortably Numb” konsiderohet solo më i mirë i të gjitha kohërave. Për shumë ekspertë të kitarës, Gilmour është lidhja që mungon mes Jimi Hendrix dhe Eddie Van Halen.
Gilmour ka mbështetur kauza bamirësie duke përfshirë Oxfam, Shoqatën e Shëndetit Mendor dhe Healthcare të Bashkimit Evropian, Greenpeace, Amnesty International, Fondacionin e Mushkërive, Terapinë Muzikore Nordoff-Robbins, Teenage Cancer Trust, (Trusti i Kancerit për Adoleshent) dhe People for the Ethical Treatment of Animals ( PETA Njerëzit për Trajtimin Etik të Kafshëve). Në maj të vitit 2003, Gilmour e shet shtëpinë e tij në Venecian e Vogël ( lagje prestigjioze në Londër) dhe dhuroi të ardhurat me vlerë 3.6 milion funta për fondacionin “Crisis” për të ndihmuar në financimin e projekteve për strehim për të pastrehët. Ai është emëruar nënkryetar i asaj organizate. Ai dhuroi 25,000 funta për fondacionin “Save the Rhino” (Shpëtoni Rinocerontin) në këmbim të sugjerimit të emrit të Douglas Adams për albumin e Pink Floyd që u bë “The Division Bell”.
Gilmour u emërua Komandant i Urdhrit të Perandorisë Britanike (CBE) në 2003, “për shërbime ndaj muzikës”. Çmimi iu dorëzua atij në Buckingham Palace, më 7 nëntor të atij viti. Ai me Pink Floyd mori edhe çmimin Polar të dhënë nga Akademia Mbretërore Suedeze të Muzikës që është një lloj çmimi Nobel për muzikë. Më 22 maj 2008, ai fitoi çmimin Ivor Novello Lifetime Contribution 2008, duke njohur përsosmërinë e tij në shkrimin e muzikës. Më vonë atë vit, ai u njoh për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në muzikë nga Q Awards. Ai ia kushtoi çmimin e tij tastieristit të Pink Floyd, Richard Wright, i cili vdiq në shtator 2008. Më 11 nëntor 2009, Gilmour mori një doktoratë nderi nga Universiteti Anglia Ruskin.
Me albumin e fundit 78 vjeçari David Gilmour dëshmon se zanatlitë ende bëjnë muzikë fenomenale, në kohën kur shumica e krijuesve mbështeten në teknologjinë digjitale të krijimit. Gilmour do të fillojë turneun më 27 shtator 2024. Ai njoftoi 6 koncerte në Royal Albert Hall të Londrës, 4 në Circus Maximus të Romës, 4 në Hollywood Bowl në Los Anxhelos dhe 5 në Madison Square Garden në New York City. Të gjitha biletat për koncerte janë shitur në afat rekord./Katror.info