Prishtina Jazz Catz u rikthye në Defy Them mbrëmjen e 3 shtatorit që i parapriu netëve të mbyllura me shumë muzikë që Prishtinës ia shtojnë hijeshinë në stinën e vjeshtës.
Në një kombinim fantastik prej muzicientëve të përkryer, edicioni i gjashtë ishte i përbërë nga seksteti me Enes Beun në Vocal, Dukagjin Muhaxherin në Saxophone, Visar Kuçi në Guitar, Ilir Bajrin në Piano, Fatlind Ferati në Bass si dhe Tomor Shkoza në Drums.
Ajo që shihet si ndejë e përsosmërisë muzikore për mënyrën e performimit dhe sinkronizimit mes muzicientësh, duke i ofruar audiencës së Defy Them një mbrëmje përplot muzikë, qejf e argëtim, mblodhi shumë dashamirë të Jazzit që jetojnë në Prishtinë. Mysafirë të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë shijuan ritmet dhe vokalet e performuesve të jazzit që për shumicën prej nesh janë edhe emra të vlerësuar si muzicientë individualisht por edhe të mbledhur në grupe si ky i së martës mbrëma.
Vetë Ilir Bajri si mjeshtër i lojës në piano e vlerësoi këtë event dhe mënyrën se si lë gjurmë tek shoqëria jonë duke i dhënë theks edhe ndikimit në lirinë e individit.
Por, ajo që është si qëllim kryesor i netëve tashmë tradicionale të Jazz Catz janë “jam session” ku si zakonisht instrumentet por edhe mikrofoni është i hapur për talentët e rinj që nuk hezitojnë të ngjiten në skenë. Ndoshta për këta të rinj është një fillim këtu, por ku i dihet mund edhe ndonjë ditë t’i shohim duke performuar në vende të tjera po ashtu.
Muzicienti virtuoz Visar Kuqi e shpjegoi edhe rëndësinë e këtij aktiviteti.
Mes shumë mysafirëve që kaluan mbrëmjen e së martës nën tingujt e jazz-it me adhuruesit e këtij zhanri u bashkua edhe një mysafir i veçantë, Kryeministri i vendit Albin Kurti, që duket se e shijoi shumë ndejën, por edhe dha një përkrahje edhe me prezencën e tij për skenat alternative të muzikës si kjo e Defy Them dhe ngjarjeve kulturore.
Larg nga punët e përditshme ndau edhe përshtypjet e tij si për këtë aktivitet alternative po ashtu edhe vlerësoi performacat e luajtura nga muzicientët tanë.
E nga Defy Them presim që ndeja si këto të vazhdojnë por ata nuk hezitojnë të na befasojnë me muzikë të mirë që vjen si llojllojshmëri ngjyrash që shprehet nga të rinjtë tanë të talentuar.
Por, krejt kjo ndejë në rend të parë duhet parë si mundësi që të rinjtë të jenë më afër me vlerat muzikore ndoshta edhe për të performuar, por edhe për të qenë aty tek rrymat botërore të civilizimit dhe kulturalisht të bëhen pjesë e asaj që është më universalja, muzika.
Një mbrëmje si kjo përveç që i jep rëndësinë Prishtinës si qendër e krijimtarisë muzikore, është po ashtu një mundësi e mirë e bashkimit rreth së mirës, vlerave dhe artit në përgjithësi./Katror.info