Një tjetër sukses i madh po shkruhet në historinë e pingpongut kosovar!
Talenti i ri Denat Makolli, përfaqësues i Klubit të Pingpongut Priping, është kualifikuar në finalen e madhe të turneut ndërkombëtar “WTT Youth Contender Podgorica 2025”, një nga garat më prestigjioze të federatës botërore të pingpongut për moshat e reja, njofton Klubi i Pingpongut, Priping.
Në njoftim thuhet se Denati zhvilloi një ndeshje spektakolare plot emocione dhe intensitet, duke triumfuar ndaj lojtarit serb Bence Namestovski, duke shfaqur siguri, teknikë të rafinuar dhe një mentalitet të fortë garues.
Kjo fitore e vendosi atë mes më të mirëve të turneut dhe e dërgoi drejt finales, ku do të përballet me sllovakun Juraj De Miguel .
Klubi i Pingpongut thekson se ky rezultat i jashtëzakonshëm është fryt i punës së palodhshme, përkushtimit të përditshëm dhe profesionalizmit të lartë të Denatit dhe trajnerit të tij Milot Makolli, i cili për më shumë se dy vite ka investuar kohë, përvojë dhe pasion në zhvillimin e këtij talenti të jashtëzakonshëm.
Suksesi i Denatit është dëshmi e qartë se kur puna, disiplina dhe ëndrra bashkohen, rezultatet nuk mungojnë — dhe Kosova po dëgjohet gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare të pingpongut.
Finalja e madhe do të luhet sonte në orën 18:30, ku Denati do të kërkojë fitoren më të madhe të karrierës së tij deri më tani.
Pavarësisht rezultatit, ai tashmë ka treguar se është një ambasador i denjë i sportit kosovar, duke përfaqësuar me nder dhe pasion flamurin e vendit tonë në një skenë të rëndësishme ndërkombëtare.
Klubi i Pingpongut Priping, ku Denati ka luajtur kete vit, ka shprehur urimet më të sinqerta për këtë arritje të madhe, duke e quajtur Denatin “krenarinë e Kosovës”.
“Ky është një sukses që frymëzon gjeneratat e reja dhe dëshmon se Kosova ka talente të mëdha që po e çojnë përpara sportin e pingpongut në nivel evropian e botëror”, thuhet në njoftim. /Katror.info