Muzikën e kishte pasion. Si i vogël studio pianon, por vetëm një instrument nuk i mjaftoi. Dirigjenti shqiptar Olsi Qinami kthesën e madhe jetësore duket se pati në moshën 12-13 vjeçare kur ishte në një koncert në Tiranë me Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar. Kjo ishte një eksperience e mrekullueshme që nuk e harron kurrë, ka rrëfyer ai për mediat shqiptare.
I është dashur kohë të kuptojë se ajo që donte nga muzika ishte jo vetëm ta dëgjonte apo të luante në ndonjë instrument, por të drejtonte një orkestër… Të paktën kështu e përshkruan rrugën e tij të parë me muzikën pianisti i njohur shqiptar, që aktualisht ka fituar zemrën e Londrës si dirigjent. Sot ai drejton Filharmoninë e Londrës dhe në fund të shkurtit do të mbajë një koncert unik.
“Bashkohuni me Filharmoninë e Qytetit të Londrës në një udhëtim nëpër disa nga pjesët më të dashura të muzikës klasike nga Debussy, Saint-Saens dhe Berlioz. Koncerti i cili titullohet “Fantastic Visions“ do të mbahet ditën e shtunë me 25 shkurt në ora 19:00 në St James Paddington, Sussex Gardens, London W2 3 UD. Do të jetë dirigjenti shqiptar Olsi Qinami i cili do të drejtojë orkestrën dhe solisten në violinë Mikako Shimatani në këtë udhëtim të magjishëm notash,” thuhet në njoftimin e Filharmonisë së Londrës.

Ambicia e Olsi Qinamit është të drejtojë orkestrat botërore.
“Ka shumë dirigjentë të mirë nëpër botë, por kjo është ambicia ime, pikësynimi im”, ka thënë Qinami, sipas të cilit rruga për të drejtuar Filharmoninë e Londrës nuk ishte aspak e lehtë.

Olsi Qinami sot është dirigjent kryesor dhe drejtor muzikor në Filharmoninë e Qytetit të Londrës dhe gjithashtu drejtor muzikor në Orkestrën Simfonike Hounslow.
Olsi ka bashkëpunuar me shumë orkestra dhe solistë duke përfshirë solistë nga Filharmonia e Vjenës dhe orkestra si Orkestra Simfonike e BBC-sw, Opera Hong Kong, Orkestra e Radios Norvegjeze, Orkestra e Festivalit Parnu, Opera Kombëtare e Shqipërisë, BBC Singers, Opera Kombëtare e Maqedonisë së Veriut, Filharmonia e Athinës, Opera de Massy në Paris, Orkestra e Qytetit të Londrës, Orkestra Filharmonike e Universitetit të Arteve të Shqipërisë, Orkestra Thames e Londrës, Orchestra The Amadeus and Chorus dhe shumë të tjera.
Në vitin 2015 ai u vlerësua me çmimin e 2-të në Konkursin Ndërkombëtar të Dirigjimit për Solistët Klasikë në Londër./Katror.info