“Ditët e albanologjisë” edicioni XIII do të organizohen nga data 21 deri më 26 nëntor në Tiranë.
Akademia e Studimeve Albanologjike shprehet se krahas tyre, janë dy aktivitete paralele që mbahen në Shkup dhe Prishtinë, respektivisht më 22 dhe 23 nëntor, në kuadër të ngjarjes kryesore
“Një komb, një gjuhë” që ka në fokus gjuhën shqipe, nga Kongresi i Manastirit deri në zhvillimet e sotme.
“Janë të shumtë gjuhëtarët, studiuesit interdisiplinarë që sjellin studimet dhe analizat e tyre më të fundit mbi këtë temë. Akademia e Studimeve Albanologjike, institutet e saj, kanë përgatitur një program të pasur me konferenca shkencore, ekspozita, promovime të librit të ri albanologjik dhe me ceremoni mirënjohjeje për personalitete të albanologjisë. Të gjitha këto do të zbulohen pak nga pak ditëve në vijim”, shkruan ASA në faqen e saj në Facebook
Akademia e Studimeve Albanologjike ka publikuar si fillim një ftesë mirëseardhjeje, që njofton me temat qendrore, me vendet dhe kohën e mbajtjes së aktiviteteve.
Qendra e Studimeve Albanologjike (sot Akademia e Studimeve Albanologjike) u krijua në kuadër të ristrukturimit e të modernizimit të sistemit universitar dhe akademik shqiptar, me vendim të Këshillit të Ministrave, nga bashkimi i katër instituteve (Arkeologji, Gjuhësi dhe Letërsi, Histori, Kulturë Popullore) dhe i dy njësive kërkimore (Studimi i Artit, Enciklopedia Shqiptare) të ish-Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
QSA (sot ASA) u riorganizua si institucion kërkimor-shkencor më 10 mars 2008 dhe ka statusin e një qendre ndëruniversitare. E pasur me një ekip kërkuesish shkencorë e specialistësh të konfirmuar në fushat e studimeve albanologjike, si dhe me fonde e materiale arkivore të një rëndësie të veçantë, ASA pozicionohet si një ndër institucionet më të rëndësishme kërkimore-shkencore të botës shqiptare./Katror.info