Donjeta Sadiku i ka sjell normën e parë olimpike në histori të boksit të Kosovës. Boksierja jonë siguroi kualifikimin në Lojërat Olimpike Paris 2024, pasi sot mundi italianen, Alessia Mesiano, në gjysmëfinalen e kategorisë -60 kg, të turneut botëror kualifikues për LO Paris 2024.
Me katër fitore radhazi, Sadiku siguroi ‘vizën’ për Olimpiadën që mbahet këtë vit në Paris.
Kualifikimin në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” të boksieres Donjeta Sadiku, trajnerja e saj Marjola Sallauka e ka vlerësuar ditë të madhe për Kosovën dhe gjithë shqiptarinë.
“Ditë e madhe për Kosovën, ditë e madhe për shqiptarinë. Një trimëreshë e vërtetë e luaneshë në ring, kjo është Donjeta Sadiku. E palodhshme e punëtore që asnjëher nuk u dorëzua drejt realizimit të ëndrrave të saj, e që sot arriti të siguroj kualifikimin për në Lojërat Olimpike – Paris 2024. Jam krenare që jam trajnerja e saj e krahë saj në realizimin e ëndrrës Olimpike. Një premtim të cilin e bëmë e realizuam, kualifikimin e arritëm. Rruga nuk përfundon këtu, shihemi në Paris. Falenderuse përjetësisht të gjithë atyre që na mbështetën e na qëndruan afër gjatë këtij rrugëtimi. Posaqërisht Federatën, kryetarin Enver Krasniqi dhe sekretarin Latif Demolli si dhe Komitetin Olimpik të Kosovës. Veçanërisht falenderoj trajnerën e mikeshën time Marigona Beadini. Selektorin e femrave Faton Xhakli si dhe selektorin e meshkujve Musli Zymberi për bashkëpunimin gjatë këtij turneu kualifikues”, ka shkruar Sallauka në “Facebook”.
Është hera e parë që një boksiere nga Kosova do të jetë pjesë e Lojërave Olimpike me normë olimpike. Në Tokio, Sadiku kishte marrë pjesë me ftesë./Katror.info