Skuadra e Dritës ka shkruar histori të hënën në Luksemburg, duke kaluar në raundin e dytë të kualifikimeve për Champions League.
Ekipi nga Gjilani fituar ndaj Differdange, duke e mbyllur ndeshjen me rezultat 2-3.
Drita e ka nisur ndeshjen kthyese shumë më mirë, duke kaluar në epërsi që në minutën e katërt përmes sulmuesit Arb Manaj. I njëjti lojtar ka shënuar edhe golin e dytë në minutën e shtatëmbëdhjetë, duke i dhënë epërsi të sigurt skuadrës gjilanase.
Megjithatë, Differdange ka arritur ta ngushtojë rezultatin në minutën e njëzet e nëntë me golin e Brusco, pas një gjuajtjeje nga këndi. Fillimisht gjyqtari ka pasur dyshime për rregullsinë e golit, por pas rishikimit në VAR, ka vendosur ta njohë golin si të vlefshëm.
Në pjesën e dytë, Drita e ka menaxhuar me sukses avantazhin deri në minutën e fundit të kohës së rregullt, kur është shkaktuar një penallti dhe skuadra vendase ia ka dalë ta kthejë në gol përmes Hadji.
Kur është dukur se ndeshja do të mbyllej baras, Drita e ka gjetur edhe një herë golin në kohën shtesë përmes Tushës.
Kësisoji Drita ka arritur jo vetëm ta fitojë takimin po edhe ta sigurojë kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 4-2, pasi kishte fituar edhe ndeshjen e parë në Prishtinë me rezultat 1-0. Edhe në ndeshjen e parë golin për Dritën e kishte shënuar Arb Manaj, shkruan RTK.
Pas kësaj ndeshje Drita avancon në raundin e dytë të Champions League, ku do të përballet me një nga gjigantët e futbollit danez, Copenhagen./Katror.info