Këngëtarja e famshme Dua Lipa, katër vjet pas publikimit të albumit të saj të suksesshëm “Future Nostalgia”, ka bërë të ditur përmes një postimi në Instagram se albumi i saj i radhës do të publikohet në maj.
“Radical optimism (Optimizmi radikal). Albumi im i tretë në studio del më 3 maj 2024,” ka shkruar ajo përskaj fotos të publikuar në Instagram.
Ajo më herët në një postim ndau një seri fotografish, përfshirë një imazh bardh e zi të saj në një pishinë. Me pyetjen që lëshoi për ndjekësit e saj, “Kush dëshiron më shumë?”, artistja duket se po luante me ndjenjat e fansave që janë të etur për këngë të reja.
Reagimi i ndjekësve nuk vonoi të vinte. Komente të shumta përshkuan faqen e saj të Instagramit, dhe shumë prej tyre shprehen bindjen se ky mund të jetë një paralajmërim për projektin e ardhshëm të artistes. “Unë dua emrin dhe kopertinën e albumit,” shkroi një ndjekës, ndërsa një tjetër shtoi, “KU ËSHTË ALBUMI?”.
Ajo që dihet për sigurt është se kur Dua do ta publikojë prodhimin e saj të ardhshëm, bota e muzikës do të dëgjojë, dhe me shumë gjasë, do të dashurohet përsëri me tingujt e saj unikë./Katror.info