Posta e Kosovës ka prezantuar sot një seri të re të pullave postare, kushtuar këngëtares me famë botërore Dua Lipa, duke e kthyer atë në një simbol zyrtar të krenarisë kombëtare.
Pullat mbajnë imazhin e artistes dhe shoqërohen me mesazhin simbolik: “Le të jetë çdo letër një kujtesë: Zëri i vendit tonë jehon në të gjithë globin.” Iniciativa vjen me hashtagun zyrtar #DuaLipaVibes, i cili pritet të shoqërojë fushatën promovuese në rrjetet sociale dhe mbarë opinionin publik.
Kjo seri e veçantë nderon suksesin e jashtëzakonshëm të Dua Lipës në skenën ndërkombëtare, duke e vënë në qendër të një komunikimi që shkon përtej kufijve, përmes pullave që udhëtojnë nëpër botë.
“Përmes këtij gjesti, ne e përkujtojmë dhe festojmë ndikimin e një vajze nga Kosova që ka ngritur zërin e vendit tonë në arenën globale,” thuhet në njoftimin zyrtar të Postës së Kosovës.
Seria e re e pullave postare është tashmë në qarkullim dhe do të jetë pjesë e koleksioneve filatelike kombëtare e ndërkombëtare./Katror.info