Festivali FemArt u hap me një performancë mbresëlënëse nga grupi i njohur Flamenco Ballet nga Barcelona, të cilët sollën në skenë shfaqjen e njohur artistike “Carmen.”
Për më shumë se një orë, grupi transportoi publikun e mbledhur në sallën e mbushur plot në një botë magjepsëse ku flamenkoja dhe baleti klasik u shkrinë së bashku për të treguar historinë ikonike të Carmen—një grua që sfidon normat shoqërore dhe bëhet simbol i guximit dhe lirisë.
Ndërveprimi i drejtpërdrejtë i artistëve me publikun shtoi intensitetin emocional të performancës, duke e bërë mbrëmjen edhe më të veçantë.
Organizatorët e quajtën performancën “një interpretim unik dhe modern i operës së famshme të Bizetit, që përzien flamenkon me baletin klasik për të sjellë mesazhin e lirisë dhe guximit të gruas—një thirrje universale për të drejta të barabarta.”
Në një kohë kur bota përballet me vuajtje të njëpasnjëshme dhe dhunë të përhapur, mesazhi i sivjetëm i FemArt, Motërzimi: n’Kohë Lufte dhe Paqe vjen si një thirrje e fuqishme për bashkim dhe solidaritet.
Edicioni i 12-të i festivalit FemArt nga data 25 deri më 30 shtator mbledh mbi 200 artiste/ë dhe aktiviste/ë nga 15 vende të ndryshme për të promovuar artin, aktivizmin dhe dialogun feminist, duke krijuar një hapësirë për të avokuar për paqe dhe të drejtat e njeriut.
FemArt 2024 premton një program të pasur me 30 aktivitete, duke përfshirë shfaqje teatrore, performanca artistike, punëtori, panele diskutimi, koncerte, publikime dhe filma, të gjitha të dizajnuara për të inkurajuar veprimin dhe dialogun për paqe dhe angazhimin për barazi. /Katror.info