Legjenda thotë kështu: një shofer 18-vjeçar, me emrin Aaron, mori kitarën e tij dhe trokiti në derën e studios lokale Sun Records për të incizuar një këngë kushtuar ditëlindjes së nënës së tij. Kënga ishte “That’s All Right, Mama”.
Ashtu edhe ndodhi, por ajo që nuk pritej ishte fakti se, pasi pronari i Sun Records e transmetoi këngën, në ditët që pasuan, kërkesat nga audienca për ritransmetimin e saj ishin të jashtëzakonshme. Kështu fillon legjenda e një prej figurave më ikonike të muzikës: Elvis Presley, njeriu për të cilin më vonë John Lennon do të shprehej: “Para Elvisit, nuk kishte asgjë.”
Megjithatë, realiteti ishte paksa ndryshe. Presley luante kitarë, bas dhe piano. Ai e mori kitarën e tij të parë kur ishte 11 vjeç. Ai nuk dinte të lexonte apo shkruante notat muzikore dhe nuk kishte marrë mësime formale muzikore, por luante gjithçka me vesh dhe frekuentonte dyqanet e disqeve që ofronin jukebox dhe kabina dëgjimi.
Në gusht të vitit 1953, ai hyri në Memphis Recording Service, kompaninë e drejtuar nga Sam Phillips, para se ky të themelonte Sun Records. Presley synonte të paguante për kohën e studios për të regjistruar një disk acetati me dy këngë: “My Happiness” dhe “That’s When Your Heartaches Begin”.
Më vonë, ai pohoi se këtë disk e kishte synuar si një dhuratë për ditëlindjen e nënës së tij ose se ishte thjesht i interesuar të dëgjonte sesi “tingëllonte” zëri i tij, megjithatë, e vërteta ishte se Presley kishte zgjedhur Sun me shpresën se do të zbulohej.
Në janar të vitit 1954, ai regjistroi një tjetër disk acetati në Sun – “I’ll Never Stand in Your Way” dhe “It Wouldn’t Be the Same Without You”, por sërish pa ndonjë rezultat.
Jo shumë kohë më vonë, ai dështoi në një audicion për një kuartet lokal vokal, Songfellows, si dhe në një tjetër audicion për grupin e Eddie Bond.
Ndërkohë, Sam Phillips nga Sun Records ishte gjithmonë në kërkim të dikujt që mund të sillte tingujt e muzikantëve zezakë, tek të cilët Sun ishte fokusuar, në një audiencë më të gjerë. Në qershor, ai bleu një regjistrim demo të baladës “Without You” nga Jimmy Sweeney, të cilën ai mendoi se mund t’i përshtatej Presley-t. Por doli që Presley nuk përshtatej për të kënduar atë këngë.
Pavarësisht kësaj, Phillips i kërkoi Presley-t të këndonte këngë të tjera dhe u ndikua mjaftueshëm nga ajo që dëgjoi, sa për të ftuar dy muzikantë vendas, kitaristin Winfield “Scotty” Moore dhe basistin Bill Black, për të punuar me Presley-n gjatë një seance regjistrimi.
Seanca, e mbajtur mbrëmjen e 5 korrikut 1954, rezultoi krejtësisht e pafrytshme deri në orët e vona të natës. Ndërsa ata ishin gati të dorëzoheshin dhe të shkonin në shtëpi, Presley filloi të këndonte një blues të vitit 1946, “That’s All Right” të Arthur Crudup.
Kitaristi Moore në memoaret e tijë kujton ” Elvisi sapo filloi ta këndonte këtë këngë, duke kërcyer përreth si i çmendur, ashtu kur nuk e kishim pa asnjë performues të lëvizte, Bill mori basin e tij dhe ai gjithashtu filloi të luante si i çmendur, edhe unë fillova të luaja me ta“. Phillips shpejt filloi të inçizonte kasetën, ky ishte tingulli që ai kishte kërkuar.
Tre ditë më vonë, disk-dj i njohur i Memphisit, Dewey Phillips, luajti “That’s All Right” në shfaqjen e tij Red, Hot and Blue. Interesi i dëgjuesve ishte i tillë sa që Phillips luajti këngën në mënyrë të përsëritur gjatë dy orëve të mbetura të shfaqjes së tij.
Duke intervistuar Presley-n, Phillips e pyeti atë cilën shkollë të mesme kishte ndjekur, për të sqaruar ngjyrën e tij për shumë telefonues që kishin supozuar se ai ishte mezezakë. Gjatë ditëve në vijim, ai inçizoi “Blue Moon of Kentucky” të Bill Monroe, përsëri në një stil të veçantë dhe duke përdorur një efekt jehonë që Sam Phillips e quajti “slapback”, (shuplak).
Askush deri atëherë nuk e kishte kuptuar më mirë se Elvis Presley fuqinë e mikrofonit dhe koreografisë elektrizuese në vallzim. Një disk u shtyp me “That’s All Right” në anën A dhe “Blue Moon of Kentucky” në anën B. Dhe kështu filloi epoka e artë e rock’n’roll-it.
Në sfondin e Amerikës pas Luftës së Dytë Botërore, performancat elektrizuese të Elvisit dhe personaliteti i tij karizmatik kapën imagjinatën e një brezi që kërkonte ndryshim dhe emocion. Stili dhe imazhi novator i Elvisit ishin po aq me ndikim.
Me flokët e krehur prapa, lëvizjet provokuese të ijeve dhe qëndrimin e tij rebel, ai ndër të parët sfidoi normat shoqërore dhe ripërcaktoi konceptin e një ylli të rock ‘n’ roll-it. Prania e tij magnetike në skenë dhe talenti i padiskutueshëm e bënë atë një sensacion të menjëhershëm, duke i fituar një numër të madh fansash të përkushtuar në mbarë botën.
Aftësitë e jashtëzakonshme të tij për të bashkuar zhanre të ndryshme muzikore dhe për të vepruar si novator brenda tyre e bëri një figurë unike në historinë e muzikës. Edhe pse shumica dërrmuese e këngëve të tij ishin krijuar nga autorë të tjerë, prania e tij karizmatike në skenë dhe aftësia për t’u lidhur me audiencën e shndërruan në një fenomen të menjëhershëm.
Talentet e tij të jashtëzakonshme edhe vokale, instrumentale dhe performuese e bënë atë një ikonë globale.
Prirja e Elvisit për të kapërcyer ndarjet shoqërore — qoftë ato klasore, racore, etnike apo gjeografike – pati një ndikim të qëndrueshëm si në kulturën popullore, ashtu edhe në mendësinë e të rinjve amerikanë gjatë viteve 1950 dhe 1960.
Ndikimi kulturor i Elvisit ishte i thellë. Në një periudhë ndarjesh të mëdha racore dhe shoqërore, muzika e tij bashkoi njerëzit. Përmes performancave dhe personalitetit të tij karizmatik. Aftësia e tij për të krijuar lidhje me audienca nga të gjitha shtresat e shoqërisë luajti një rol kyç në thyerjen e barrierave dhe në nxitjen e ndjenjës së solidaritetit.

Për të kuptuar saktësisht pse Elvisi i kishte të gjitha këto aftësi, dhe rrjedhimisht vlerësohet aq shumë si një ikonë dhe si arriti nivele kaq të jashtëzakonshme fame e suksesi në karrierën e tij, është e rëndësishme të kuptojmë prejardhjen dhe jetën e tij të hershme, të cilat formësuan qasjen e tij ndaj muzikës.
Elvis Presley përveç prejardhjes evropiane kishte dhe preardhje nga indinanët nativë të Amerikës, saktësisht nga fisi Cheeroke, (Çiroki). Rrugëtimi i tijë drejt famës filloi në Tupelo, Mississippi, ku ai lindi në vitin 1935, në një familje të thjeshtë punëtore. Thuhet se atë natë kishte stuhi në qytezën e Tupelos.
Në vitin 1984, Nick Cave do të këndonte për këtë moment, që për shumë fansa të Elvis Presley-t është një natë e shenjtë. Duke përdorur imazhe biblike, Cave përshkruan në mënyrë impresive lindjen e Elvisit gjatë asaj stuhie të fuqishme dhe përmbytjes në Tupelo, Misisipi.
Ai e përmbyll këngën me vargjet: “Oh, ujë, ujë kudo,/ Aty ku asnjë zog nuk mund të fluturojë,/ Asnjë peshk nuk mund të notojë./ Derisa Mbreti të lindë, / Derisa Mbreti të lindë në Tupelo”.
Vitet e hershme u karakterizuan nga vështirësi të mëdha ekonomike për familjen e tij. Pas zhvendosjes së familjes në Memphis, Tennessee – një rajon me një popullsi të madhe afrikano-amerikane – në vitin 1948, në kërkim të një jete më të mirë, Elvisi u ekspozua ndaj kulturave dhe zhanreve të reja muzikore.
Ndikimi i thellë që patën mbi të zhanret muzikore të komunitetit afrikano-amerikan, si Blues-i, Gospeli, Souli dhe Country-i jugor, u shndërrua në një pikë kthese vendimtare për karrierën e tij muzikore. Studiuesit e vlerësojnë diapazonin vokal të Presleyt si dy oktava e një çerek.
Zëri i tij përfshinte një gamë emocionale të gjerë, që nga pëshpëritje të buta deri te britmat, hungërimat, zërat e ashpër me një vrazhdësi të thellë që mund ta zhvendoste dëgjuesin nga qetësia dhe dorëzimi, në frikë. Zëri i tij nuk mund të matet vetëm me oktava, por edhe me decibel; megjithatë, as kjo nuk mjafton për të matur pëshpëritjet delikate që mezi dëgjohen.
Sipas kritikut Henry Pleasants, Presley kishte gjithmonë “aftësinë për të imituar tingullin e hapur, të ngjirur, ekstatik, britmues, të dëshpëruar dhe të rrezikshëm të këngëtarëve me ngjyrë të ritmit dhe bluzit apo të muzikës gospel“. Ai gjithashtu shfaqi një aftësi të jashtëzakonshme për të përvetësuar shumë stile të tjera vokale.
Albumi i parë i tij ishte pikërisht rezultat i këtyre ndikimeve. Një album i një djali të bardhë që përvetësoi tingujt e djemve me ngjyrë dhe i shndërroi në diçka të paimagjinueshme deri atëherë, i shndërroi në një fenomen që quhet Rock ‘n’ Roll, dhe që në një perspektivë më të gjerë e tejkaloi kufirin e muzikës.
Në vetëm 12 këngë që zgjasin gjithsej 28 minuta, albumi i parë i Elvis Presley kap në mënyrë të përsosur potencialin e mbretit të ri të rock ‘n’ roll-it. Ky album dëshmoi se Elvis mund të këndonte gjithçka – nga këngë energjike deri te balada të bukura. Gjithçka mori një formë tjetër me këtë album. “I Got a Woman” nga Ray Charles, “Tutti Frutti” nga Little Richard dhe “Blue Suede Shoes” nga Carl Perkins tashmë ishin këngë të reja.
Ishte sikur Nirvana të këndonte këngët e Beatles – një revolucion i vërtetë, një akt guximi që nuk ishte parë më parë në Amerikën konservatore. Ky album është gjithçka që duhet dëgjuar për të kuptuar se si dhe pse rroku u bë aq i madh.
Presley me këtë album hapi rrugën për të tjerët që ta ndiqnin, e vendosi muzikën rock në hartë, dhe bota e muzikës rock prej këtij moment ende i detyrohet atij.
Në gjysmën e dytë të vitit 1955, disqet single të Presleyt, të publikuara nga Sun Records, filluan të futeshin në klasifikimet kombëtare të muzikës country dhe western, ku “Baby Let’s Play House” dhe “I Forgot to Remember to Forget” arritën përkatësisht në vendin e pestë dhe të parë.
Menaxheri i ri i Presleyt, kolonel Tom Parker, kishte krijuar marrëdhënie të gjera me kompaninë RCA Më 21 nëntor 1955, RCA Victor bleu kontratën e Presleyt nga Sam Phillips, i Sun Records, për shumën atëherë të jashtëzakonshme prej 40,000 dollarësh.
Presley dhe rock and roll-i ishin ende pasuri të patestuara për kompanitë e mëdha diskografike, por ky album, së bashku me singëllin numër një “Heartbreak Hotel”, dëshmuan fuqinë e tyre shitëse, ishte albumi i parë i RCA Victor që fitoi më shumë se një milon dollarë dhe, në vitin 1956, kishte shitur mbi një milion kopje.
Nëse albumi i tij i dytë i quajtur thjesht “Elvis” nuk është aq i rëndësishëm historikisht sa albumi i parë i tij është vetëm sepse erdhi i dyti – muzikalisht, është një vepër më e sigurt dhe më e pjekur se debutimi i tij, dhe në çdo katalog tjetër artistik do të ishte konsideruar një arritje kulmore.

Gjatë regjistrimeve për albumin e tij të parë, këngëtari dhe të gjithë të përfshirët po shkelnin në një territor të panjohur, të pasigurt se çfarë po bënin ose nëse ishin të përgatitur – por në shtator të vitit 1956, kur u zhvilluan tri ditët e inçizimeve për albumin “Elvis”, ai tashmë ishte në kulmin e famës, një fenomen kombëtar siç nuk ishte parë në muzikë kur më herët.
Këngët në këtë album ishin, në pjesën më të madhe, materiale që ai i njihte mirë. Ai kalon nëpër to me lehtësi të dukshme, duke shndërruar këngën country të viteve 1940 “When My Blue Moon Turns to Gold Again” në një këngë rok të butë, duke shpërthyer nëpër këngët e Little Richard si “Long Tall Sally,” “Ready Teddy” dhe “Rip It Up”, rikthehet te rrënjët e tij bluese me një interpretim të fuqishëm të këngës së Arthur Crudup “I’m So Glad You’re Mine” dhe tregon se sa shumë ishte rafinuar zëri i tij në baladën “First in Line” dhe në këngën sentimentale “Old Shep.”
Albumi i tretë i tij me këngë tradicionale të Krishtlindjeve doli në tetor të vitit 1957, në një kohë kur popullariteti i tij nuk matej me asgjë. Në fillim të vitit 1958, nisi një kapitull i ri në jetën e tij: shërbimin ushtarak. Elvis Presley, tani më i kurorizuar si “Mbreti i Rock and Roll-it”, i zëvendësoi këpucët e tij prej kadifeje blu me çizmet ushtarake, kur u thirr në ushtrinë amerikane në fillim të atij viti.
Ky ishte një moment pikëllimi i vërtetë për fansat e tij. Ashtu si shumë gjëra që Presley bëri në kulmin e suksesit të tij, edhe hyrja e tij në ushtri u trajtua si një ngjarje e rëndësishme kulturore.

Pavarësisht statusit të tij si superyll, ai shërbeu si një ushtar i zakonshëm dhe nuk iu bashkua divizionit të Shërbimeve Speciale për argëtim, i cili do t’i kishte lejuar të performonte dhe të argëtonte trupat.
Në vend të kësaj, ai u vendos në Gjermaninë Perëndimore, ku u njoh me Priscilla Beaulieu, vajzën 14-vjeçare të një oficeri të Forcave Ajrore të SHBA-së (Presley ishte 24 vjeç). Me miratimin e prindërve të saj, Beaulieu dhe Presley filluan një romancë dhe u martuan në vitin 1967.
Koha e Presley në ushtri u karakterizua nga normaliteti dhe ndjenja e detyrës. Kur u kthye në jetën civile në vitin 1960, shumë njerëz pritën që ai të zhdukej nga skena, duke menduar se fama e tij ishte vetëm një shkëlqim i përkohshëm.
Megjithatë, ai i hodhi poshtë këto pritshmëri duke vazhduar të publikonte hite dhe të luante në filma. Shërbimi ushtarak i Elvisit nuk ia zvogëloi ndikimin. Përkundrazi, aftësia e tij për të ndërthurur përulësinë me vetëbesimin, edhe me uniformë, e bëri atë edhe më të dashur për shumë njerëz.
Qysh në nëntor të vitit 1956, Presley bëri debutimin e tij në film me “Love Me Tender”. Kur ai rifilloi karrierën e tij muzikore, pas kthimit nga shërbimi ushtarak ata që e kishin konsideruar si një bujë komerciale pa talent prisnin që ai të zhdukej.
Por në vend të kësaj, ai vazhdoi të prodhonte hite nga incizime që i kishte regjistruar pak para se të futej në ushtri. Presley dha pak koncerte dhe, nën drejtimin e menaxherit Tom Parker — një person kontravers dhe me ndikim vendimtar në karrierën e Elvisit, fatkeqësisht edhe në momentet më fatale — ia kushtoi një pjesë të madhe të viteve 1960 xhirimit të filmave në Hollivud dhe albumeve me kolona zanore.
Shumica e tyre nuk u vlerësuan mirë nga kritika. Gjatë tetë viteve të ardhshme, ai realizoi mbi 30 filma (nga Blue Hawaii [1961] deri te Change of Habit [1969]), pothuajse asnjëri prej të cilëve nuk i përkiste ndonjë zhanri përveç të ashtuquajtur “filmat e Elvis-it,” dhe pothuajse të gjithë ishin të përkufizuar si “filmat e Elvisit” – që do të thoshte komedi të lehta romantike me ndërprerje muzikore.
E vetmja gjë e mirë në këto filma ishte paraqitja e Elvisit vetë, ndërsa cilësia artistike e shumicës prej tyre ishte e dobët. Megjithatë, disa nga këta filma morën edhe lavdërime të pjesshme nga kritika, si Jailhouse Rock (1957), Blue Hawaii (1961) dhe Viva Las Vegas (1964). Shumica kishin albume shoqëruese me kolona zanore, dhe së bashku, filmat dhe këngët e bënë Elvis Presleyn një njeri shumë të pasur — megjithëse e dëmtuan si artist.
Presley realizoi punën e tij më të mirë në vitet 1960 me këngë të veçuara, të cilat nuk kishin lidhje me filmat ose ishin vetëm pak të përfshira në to, si: “It’s Now or Never (‘O Sole Mio’)” (1960), “Are You Lonesome Tonight?” dhe “Little Sister” (të dyja më 1961), “Can’t Help Falling in Love” dhe “Return to Sender” (të dyja më 1962), dhe “Viva Las Vegas” (1964).
Presley nuk ishte më një figurë kontroverse, ai ishte bërë një argëtues i zakonshëm i masave, një personazh pa shumë interes për publikun e muzikës rock, që ishte zgjeruar shumë me ardhjen e zërave të rinj si Beatles, Rolling Stones dhe Bob Dylan.
Deri në vitin 1968, ndryshimet në botën e muzikës e kishin lënë pas Presley-n. Në dhjetor, u transmetua specialja televizive e Krishtlindjeve ku ai performoi solo pa përcjellje, një paraqitje e fuqishme e rock and roll-it dhe rhythm and blues-it që ia riktheu në masë të madhe reputacionin e humbur.
Në vitin 1969, ai publikoi një këngë që nuk kishte lidhje me ndonjë film, “Suspicious Minds”; ajo arriti në vendin e parë. Ai gjithashtu nisi sërish të mbante koncerte dhe fitoi shpejt një ndjekje të konsiderueshme, megjithëse jo aq universale sa ajo e viteve 1950.
Në vitin 1973, Presley realizoi koncertin e parë të një artisti solo që u transmetua drejtpërdrejt në mbarë botën, “Aloha from Hawaii”.
Për pjesën më të madhe të dekadës së ardhshme, ai ishte sërish një nga atraksionet kryesore live në Shtetet e Bashkuara. Por ai nuk performoi kurrë jashtë Amerikës së Veriut. Presley ishte tashmë një argëtues kryesor amerikan, por jo ikonë dhe idhull.
Ai performoi në mbi 240 qytete dhe dha më shumë se 1,600 shfaqje, por të gjitha në Shtetet e Bashkuara. Në Kanada mbajti vetëm tre koncerte, të gjitha në vitin 1957, por ato nuk konsiderohen udhëtime ndërkombëtare, pasi në atë kohë udhëtimi midis SHBA-së dhe Kanadasë bëhej lirshëm, pa pasaportë.
Arsyeja kryesore për mungesën e koncerteve jashtë vendit ishte menaxheri i tij, “Koloneli” Tom Parker. Ai besonte se, nëse do të largohej ndonjëherë nga SHBA-ja, autoritetet kufitare nuk do ta lejonin të kthehej më.
Parker kishte lindur në Holandë dhe quhej fillimisht Andreas Cornelis van Kuijk. Ai punoi në një anije për të mbërritur në një port amerikan dhe më pas u hodh nga anija për të hyrë ilegalisht në vend. Më vonë u rekrutua në Ushtrinë Amerikane, gjë që mund t’i kishte dhënë mundësinë të bëhej shtetas, por nuk e ndërmori kurrë këtë hap.
Në vend të kësaj, krijoi një lloj “natyralizimi” personal: e quajti veten “Kolonel” (një titull nderi), ndryshoi emrin në Tom Parker (që për të tingëllonte më amerikan), dhe shpesh vishej me kapele kaubojsi apo veshje të tjera që përçonin një imazh tipik amerikan.
Si menaxher i Elvisit, veprimi më i arsyeshëm do të kishte qenë ta dërgonte në turne ndërkombëtare madhështore, ndërsa vetë të qëndronte në SHBA. Por Parker këmbëngulte të kishte kontroll të rreptë mbi Elvisin.
Herë pas here, merrte kontroll edhe mbi jetën personale të këngëtarit, ndikonte në menaxhimin e shtëpisë së tij, e shtyu që të martohej dhe, në disa raste, përfitonte më shumë para nga karriera e Elvisit sesa vetë ai – edhe pse më pas i humbi shumicën e tyre duke luajtur bixhoz.
E vetmja gjë pozitive për Parkerin ishte se kishte njëfarë aftësie në marketing. Ishte ideja e tij të prodhonte dhe shiste butona me mbishkrimin “Unë e urrej Elvisin” – një ide sa bizare, aq edhe e diskutueshme për imazhin e Elvisit, por që i solli miliona dollarë përfitim menaxherit. Tom Parker ishte njëkohësisht bekim dhe mallkim për Elvisin.
“Imazhi është një gjë dhe njeriu real një tjetër. Është shumë e vështirë të jesh në lartësinë e një imazhi.” Kështu tha Elvisi në një intervistë në vitin 1972, pak pas divorcit të tij dhe menjëherë përpara një turneu të lodhshëm që do të përfundonte me 168 koncerte vetëm gjatë vitit pasardhës.
Pikërisht atëherë, shëndeti i Elvisit filloi të përkeqësohej ndjeshëm, ndërsa përdorimi i tij i barbiturateve u rrit në mënyrë drastike. Divorci, shëndeti i ligë, dashuria dhe dhimbja për vajzën Ana Mari, me të cilën nuk kalonte sa duhej kohë, si dhe ndjenja se artistikisht nuk ishte më ai që kishte qenë, e gjithashtu ndjenja se po shfrytëzohej nga industria e Show Biznesit, e bënë atë të dëshpëruar deri në tragjedi.
Këngët “Don’t Cry Daddy”, “My Way”, “Are You Lonesome Tonight?” dhe “In the Ghetto” kurrë nuk janë kënduar më me emocion se nga Elvis Presley. Nën interpretimin e tij, këto këngë merrnin përmasa tragjike, aq sa ata që kishin fatin t’i dëgjonin live, vështirë mund t’i ndalonin lotët. Edhe tani, nëse shikohen ato pamje në video, ato ngjallin trishtim dhe pikëllim. Ai shtoi peshë dhe gati humbi sensin e realitetit.
Shpesh i paaftë për të lëvizur dhe i shkatërruar nga abuzimi me drogën, Elvisi i kaloi vitet e fundit të jetës duke u përpjekur të përballonte sesionet e regjistrimit dhe turnetë që i imponoheshin.
Libri Elvis: What Happened?, që përmbante rrëfime nga tre ish-truproja të tij, ekspozoi stilin e tepruar të jetës së Mbretit dhe, në një farë mënyre, parashikoi fundin e pashmangshëm të historisë së tij. Dy javë pas publikimit të librit, më 16 gusht 1977 në moshën 42 vjeçare, Elvis Presley vdiq në banjën e shtëpisë së tij në Graceland.
Trashëgimia që ka lënë pas Elvis Presley, kalon jashtë kornizave kulturore dhe artistike. Ajo ka përmasa mendësie të një kombi, të cilat shumica e amerikanëve ende i kultivojnë. Me origjinën e tij të përzier racialisht – të cilën Presley e ka pohuar vazhdimisht – pozita qendrore e rock and roll-it në kulturën amerikane mundësoi një pranimin dhe vlerësim të ri të kulturës së zezë.
Në këtë kuadër, Little Richard, këngëtar me ngjyrë dhe bashkëkohës i tij, tha: “Ai ishte një integrator. Elvisi ishte një bekim. Ata nuk do të lejonin muzikën e zezë. Ai hapi derën për muzikën e zezë.”
Presidenti Jimmy Carter komentoi mbi trashëgiminë e Presley në vitin 1977: “Muzika e tij dhe personaliteti i tij, që bashkonte stilet e muzikës country të bardhë dhe rhythm and blues të zezë, e ndryshuan përherë fytyrën e kulturës popullore amerikane”.
Emri, imazhi dhe zëri i Presley janë të njohur në të gjithë botën. Ai ka frymëzuar një ushtri imituesish. Në sondazhe dhe anketa, ai njihet si një nga artistët më të rëndësishëm në muzikën e popullarizuar dhe një nga amerikanët më të ndikueshëm.
Kompozitori dhe dirigjenti amerikan Leonard Bernstein tha: “Elvis Presley është forca më e madhe kulturore e shekullit njëzetë. Ai e solli ritmin për gjithçka dhe ndryshoi gjithçka – muzikën, gjuhën, rrobat.” John Lennon tha se “Nuk ka pasur asgjë që më ka bë përshtypje deri te Elvisi.“
Bob Dylan e përshkroi ndjenjën e dëgjimit të Presley për herë të parë si “Ishte një çlirim, sikur të shpëtoje nga burgu“.
Një numër i pazakontë fansash kanë altare të brendshme të dedikuara për Presley dhe udhëtojnë në vende të lidhura me të, si në form pellegrinazhi . Në përvjetorin e vdekjes së tij, mijëra njerëz mblidhen jashtë Graceland për një ritual me drita qiriu.
“Me Elvisin, nuk është vetëm muzika e tij që ka mbijetuar pas vdekjes,” shkruan Ted Harrison, shkrimtar dhe biograf i Elvis Preseyt. “Ai vetë është ngritur, si një shenjtor mesjetar, në një figurë të statusit të kultit. Është sikur i kanonizuar me aklamacion.”
Në përvjetorin e 25-të të vdekjes së Presley, The New York Times shkroi: “Imituesit e tij pa talente dhe pikturat e tmerrshme me vel të zi mund ta bëjnë atë të duket si një kujtim pervers dhe të largët. Por para se Elvisi të ishte kamp, ai ishte e kundërta e tij: një forcë kulturore e vërtetë… Aftësitë e tij janë nënvlerësuar sepse në këtë epokë të rock and roll-it, muzika e tij e fortë dhe stili i tij tërheqës kanë triumfuar plotësisht.”
Ai u rendit i treti në listën e Rolling Stone për artistët më të mëdhenjtë. Bono shkroi në vlerësim: “Tek Elvis, keni planin për rock & roll. Lartësitë — lartësitë e gospelit. Derri te balta e Delta, bluzit. Çlirimi seksual. Kontroversë. Ndryshimi i mënyrës se si njerëzit e ndiejnë botën. Gjithçka është aty me Elvisin.”
Jo vetëm arritjet e Presley, por edhe dështimet e tij, shihen nga disa vëzhgues kulturorë si një shtesë për fuqinë e trashëgimisë së tij, siç e përshkruan Greil Marcus: “Elvis Presley është një figurë supreme në jetën amerikane, një prani që, pavarësisht se sa e thjeshtë ose e parashikueshme mund të jetë, nuk pranon krahasime të vërteta…”
Ndërsa ngjitja në famë e Elvisit, suksesi i tij i menjëhershëm, rikthimi i jashtëzakonshëm dhe vdekja tragjike e tij rikujtohen dhe përfaqësohen në shumë forma bashkëkohore imazhi i Mbretit të Rock and Roll-it ndryshon me kalimin e kohës dhe ndjek rrjedhën e shoqërisë moderne. Në këtë mënyrë, zëri dhe ndikimi kulturor i Elvisit do të mbeten me ne, me gjasë, përgjithmonë./Katror.info
Përgatiti:
