Aktorja nga Kosova, Yllka Lota ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke u ftuar për pjesëmarrje në festivalin ‘New York Theatre Festival’’ me monodramën e saj ‘’Rruga 42’’. Në këtë festival që ka karakter garues dhe është edicioni i tij i 12-të, Yllka merr pjesë si shqiptarja e parë ndonjëherë në këtë event.
Aktorja e talentuar nga Gjakova, rrëfen mbi udhëtimin e saj artistik, që filloi qysh në fëmijëri. “Kur rritesh me një skenë, e ke ëndërr gjithë jetën ta kalosh në atë skenë,” kujton ajo me nostalgji.
Hapat e saj të parë nisën në vallëzim modern në moshën katërvjeçare, për të kaluar më pas në teatrin për fëmijë, ku shpesh luante role kryesore si Pipi Çorapegjata dhe Hirushja.
Gjatë studimeve në Universitetin e Arteve, Yllka pati fatin të mësonte nga disa prej emrave më të mëdhenj të filmit dhe teatrit shqiptar, si Ema Andrea, Timo Flloko, dhe Guljem Radoja. “Çdo mësim, qoftë prej regjisorëve ashtu si edhe prej profesorëve në shkollë, është shkollë në vetë, sepse secili ka metodën e vet dhe mënyrën se si punon me karakterin. Ajo të rrit si aktor, sepse sa më shumë mësues që ke, aq më e pasur ndihesh, sepse ke marrë më të mirën prej të gjithëve,” thotë ajo.
Në karrierën e saj, Yllka ka fituar çmime të rëndësishme, duke u vlerësuar për elasticitetin dhe muzikalitetin në skenë. Ajo tregon me emocion për momentet kur është shpërblyer me çmime të rëndësishme dhe për vlerësimin e madh që ka marrë.
“Kur fitova në Koko Fest, u ndjeva sikur u riktheva në atë kohën kur si e re shpërblehesha për çmimin e aktores më të mirë, por gjithmonë me idenë se ‘hajt se s’jam profesioniste, ndoshta vetëm fat’. Kur fitova aty, u ndjeva me të vërtetë shumë e vlerësuar, pasi juria kishte emra shumë të mëdhenj. Ishte Luan Jaha, Rajmonda Bulku dhe profesori Timo Flloko,” tha Yllka në një intervistë për Telegrafin.
Një nga përvojat më të paharrueshme për të ishte vizita në Festivalin e Filmit në Kanë, ku, edhe pse jo pjesëmarrëse, pati mundësinë të përjetojë nga afër madhështinë e festivalit dhe të takohet me producentë dhe regjisorë të njohur. “Vizita në Kanë, pavarësisht që nuk isha pjesëmarrëse me film, në vetvete të rrit si artist. Ke mundësinë me pa njerëz që ndoshta s’e ke menduar asnjëherë, dhe sheh një organizim festivali të madh nga brenda. Edhe mundësia të takoja producentë dhe regjisorë dhe të flas shumë thjesht me ta”.
Në përfundim, Yllka ndan planet e saj për të ardhmen, duke synuar bashkëpunime të reja, dhe u dërgon një mesazh të rinjve: “Vazhdoni, besoni te vetja dhe mos u ndalni. Mundësitë janë shumë më të mëdha tash, kështu që s’keni pse ta ndalni ëndrrën.”