Të rinjtë e moshës 18–30 vjeç, të interesuar për të zbuluar mundësitë e vullnetarizmit jashtë vendit, do të kenë rastin të marrin pjesë në një sesion informativ mbi programin European Solidarity Corps (ESC), që do të mbahet më 27 gusht në Europe House Prishtinë, nga ora 12:00 deri në 13:00, shkruan Katror.info.
Aktiviteti, i organizuar nga GAIA Kosovo, synon të ofrojë informata praktike mbi programin e Bashkimit Evropian, i cili u mundëson të rinjve të angazhohen në projekte me ndikim në mbarë Evropën.
Gjatë sesionit, pjesëmarrësit do të:
- marrin njohuri bazë mbi programin ESC,
- dëgjojnë rrëfime frymëzuese nga të rinjtë që kanë përjetuar eksperiencën e vullnetarizmit,
- informohen për hapat e aplikimit dhe mundësitë që janë të hapura aktualisht.
Ky aktivitet synon të motivojë dhe të orientojë të rinjtë drejt përvojave ndërkombëtare, duke kontribuar jo vetëm në zhvillimin e tyre personal dhe profesional, por edhe në forcimin e solidaritetit evropian./Katror.info