Përfaqësues të Agjencisë Austriake për Zhvillim vizituan njësinë për përpunimin e perimeve të Fatmire Demirit në fshatin Pirq, në jug të Mitrovicës, një shembull i fuqishëm i qëndrueshmërisë dhe inovacionit në zonat rurale, shkruan Katror.info.
Fatmirja është njëra nga shumë gratë frymëzuese që kanë përfituar nga trajnimet e organizuara nga UN Women dhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO), në kuadër të projektit “Promovimi i Fuqizimit të Grave Rurale në Kosovë”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim.
Ky bashkëpunim synon të mbështesë gra si Fatmirja, duke i ndihmuar të shfrytëzojnë aftësitë e tyre për të krijuar mënyra jetese të qëndrueshme dhe për të forcuar pozicionin e tyre ekonomik në komunitet.
Fuqizimi ekonomik i grave në zonat rurale është i rëndësishëm jo vetëm për avancimin e statusit të tyre social dhe ekonomik, por edhe për zhvillimin e përgjithshëm të komuniteteve. Duke u dhënë mundësi grave për të krijuar të ardhura dhe për të marrë pjesë aktive në ekonomi, krijohen baza të forta për reduktimin e varfërisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në viset rurale./Katror.info