Radio Televizioni i Kosovës (RTK) në datat 7, 9 & 11 maj nga ora 21:00 do të transmetojë drejtpërdrejt Festivalin e ‘Eurovizionit 2024’, i cili këtë vit mbahet në Malmo të Suedisë.
Transmetuesi publik do të transmetojë ‘Eurovizionin’, për shikuesit në mbarë vendin. Gara do të transmetohet në RTK 1 dhe Radio Kosova 2, ndërsa do të komentohet nga Agron Krasniqi dhe Egzona Rafuna.
RTK ka transmetuar drejtpërdrejt Festivalin e ‘Eurovizionit’ për shikuesit në vend që nga viti 2006.
Shqipëria këtë vit përfaqësohet nga këngëtarja Besa Kokëdhima me këngën “Titan” dhe do garojë në natën e dytë në gjysmëfinale.
Ndryshe edhe pse vitin e kaluar është mbajtur edicioni i parë i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin e Kosovës, edhe këtë vit Kosova nuk mund të merr pjesë në festival, për shkak të natyrës politike.
Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, kishte thënë se përpjekjet po bëhen që fituesi i edicionit të dytë të ngjarjes të vazhdojë garën në “Euro Song”.
Edhe drejtori i European Broadcasting Union (EBU), Noel Curran gjatë edicionin të parë të Festivalit të Këngës në RTK, kishte përshëndetur edicionin e parë të Festivalit të Këngës në RTK, duke e përgëzuar organizimin e tij. “Ngjarje fantastike që shpresoj të sjellë shumë gëzim e lumturi, argëtim për të gjithë. E di që po mbahet në një ndërtesë që është djegur para shumë vitesh, si dhe është bukur të shohësh atë ringjallje kulturore që bëhet në atë objekt. Jam i bindur që ky festival po bën jehonë përgjatë gjithë Prishtinës”, kishte thënë ai në një video mesazh./Katror.info