Së shpejti pritet të nisë edicioni i katërt i festivalit ndërkombëtar të vallëzimit “Newborn Kosova”, një ngjarje që tashmë ka zënë vend të rëndësishëm në kalendarin kulturor.
“Si zakonisht do të jetë pjesa e garës që shtetet vijnë dhe e prezantojnë kulturën e vendit të vet para jurisë që e vlerëson mënyrën se si ata do ta prezantohen përmes vallëzimit në skenë. Festivali zgjatë 5 ditë, 3 ditë do të ketë gara që do të mbahen në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ dhe 2 ditë tjera janë aktivitete shtesë nëpër qytete të tjera”, tha Zymrije Grajçevci, drejtoreshë e festivalit dhe përfaqësuese e FIDAF Kosova në programin e mëngjesit në RTK.
Ajo theksoi gjithashtu se organizimi i këtij festivali është rezultat i një pune shumëvjeçare.
“Normalisht, i gjithi ky organizim nuk po ndodhë tani për tani. Në këtë organizim të këtij festivali kemi filluar ta punojmë që nga viti 2014. Kemi krijuar rrjetin tonë. Përfaqësimi vjen përmes OJQ-së sonë me Federatën Botërore të Vallëzimit dhe Festivaleve. Është ajo dera e mundësive që grupet të vijnë të na vizitojnë që të njihemi sa më afër me grupet e vallëzimit nëpër botë,” tha Grajçevci.
Festivali “Newborn Kosova” përveç që promovon kulturën shqiptare përmes vallëzimit, ofron edhe një platformë për shkëmbim ndërkulturor dhe lidhje mes grupeve artistike nga e gjithë bota./Katror.info