Një prej festivaleve që ndër vite ka tentuar të krijojë ura kulturore, “Mirëdita -Dobar dan” sivjet do të organizohet në Beograd në datat 27-29 qershor.
“Edicioni i këtij viti do të prezantojë një përzierje unike të artit, kulturës bashkëkohore dhe diskutimeve domethënëse që hedhin dritë mbi tema historike kyçe, si dhe të orientuara drejt së ardhmes, veçanërisht të rëndësishme gjatë kësaj periudhe sfiduese për marrëdhëniet Kosovë-Serbi”, njoftojnë organizatorët, Integra dhe CI.
Festivali nisë hapjen zyrtare me shfaqjen e “Babai dhe babai”, një shfaqje teatrale nga dramaturgu kosovar Jeton Neziraj, me regji të Kushtrim Koliqit.
Programi i festivalit të këtij viti përfshin edhe filmin “Vera ëndërron detin” nga regjisorja Kaltrina Krasniqi. Ky film debutoi në Festivalin e Filmit në Venecia dhe më vonë fitoi çmime në Festivalin e Filmit në Tokio dhe Goteborg, si dhe në “Festivalin e Filmit Zona e Lirë” të Beogradit
Fituesi i edicionit të parë të Festivalit të Këngës së RTK-së, La Fazani gjithashtu do të jetë pjesë e festivalit në Beograd në një mbrëmje muzikore.
Si çdo vit, nuk do të mungojnë as debatet. “Normalizimi i moslejimit apo moslejimi i normalizimit: Pengimi i shkëmbimit kulturor” quhet diskutimi i cili do të mbahet për të trajtuar pengesat, ashtu siç e quajnë organizatorët, për mirëkuptimin ndërkulturor.
“Debati i dytë, gjithashtu do të paraqesë edhe prezantimin e librit ‘Shënimet e krimbit Smolinski’ nga shkrimtari i ri kosovar Azem Deliu, që shtjellon temat që kanë të bëjnë me trashëgiminë e luftës dhe ndikimet e saj bashkëkohore në marrëdhëniet Kosovë-Serbi”, njoftojnë nga festivali./Katror.info