Filharmonia e Kosovës fillon aktivitetet për këtë vit me një program të veçantë.
Orkestra vjen me dy premiera për publikun e Prishtinës dhe rikthen pas disa vjetësh në program Simfoninë Nr. 7 të Beethovenit, më 27 janar 2024, prej orës 20:00.
Sipas njoftimit, në këtë koncert në rolin e solistes do të prezantohet pianistja e mirënjohur kosovare Pranvera Hoxha, e cila do të luajë “Variacione Simfonike” për piano dhe orkestër nga Cesar Franck
”Jemi të lumtur t’ju prezantojmë koncertin simfonik i cili do të dirigjohet nga mjeshtrja zvicerane, Lena-Lisa Wüstendörfer, në këtë bashkëpunim të parë me Orkestrën tonë. Në këtë koncert në rolin e solistes do të prezantohet pianistja e mirënjohur kosovare Pranvera Hoxha, e cila do të luajë “Variacione Simfonike” për piano dhe orkestër nga Cesar Franck”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë së Kosovës në Facebook.
Ndërsa, tutje në njoftim thuhet se, kontrabasisti i dikurshëm i Filharmonisë së Kosovës, Shkodran Osmanaj, i cili prej kohësh koncerton me disa prej orkestrave më në zë në Zvicër dhe jo vetëm, do të rikthehet në Prishtinë, kësaj radhe si solist, duke na sjellë “Koncertin për kontrabas dhe orkestër” të Serge Koussevitzky-t. /Katror.info