“Filharmonia në lëvizje” po vazhdon me sukses, duke sjellë artin muzikor në qytete të ndryshme të Kosovës.
Destinacioni i radhës ishte Prizreni, ku Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e maestro Dario Salvit, mbajti një koncert të paharrueshëm në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu”.
Publiku priti me entuziazëm interpretimin e veprave nga kompozitorë të huaj dhe vendor, duke e shndërruar natën në një festë muzikore, njofton Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.
Koncerti u hap me veprën Illyrian Dances të Guy Woolfenden, duke vazhduar më pas me interpretimin emocional të The Gael (The Kiss) nga filmi I Fundit i Mohikanëve të Trevor Jones dhe I Dreamed a Dream nga Claude-Michel Schönberg, ku solisti Dardan Gjinolli shkëlqeu në saksofon.
Në dy pikat finale, Kori i Meshkujve i Filharmonisë së Kosovës iu bashkua orkestrës, duke interpretuar veprat In a Persian Market dhe In a Monastery Garden të Albert Ketèlbey, duke e mbyllur koncertin me një performancë madhështore.
Filharmonia e Kosovës po vazhdon me përkushtim të sjellë artin në çdo cep të vendit, duke ndërtuar ura të reja mes muzikës dhe publikut.
Cilat do të jenë destinacionet e radhës, mbetet të shihen! /Katror.info
Përgatiti:
