TIFF është festivali i filmit që në kryeqytetin e Shqipërisë u krijua më 2003, e duke arritur të bëhet nga më të rëndësishmit e Evropës. TIFF është festival kualifikues për nominim në Academy Awards, një mundësi që i jepet fituesve të kategorive të filmit të metrazhit të shkurtër si dhe të filmit studentor.
Për edicionin e 2023-tës në TIFF kanë aplikuar 3,484 filma nga 112 vende të botës. Përderisa në festival janë pranuar 192 filma nga 53 vende të ndryshme. Në garë janë 178 filma, ndërkohë që 14 shfaqen jashtë konkurrencës. 49 filma janë studentorë, ndërkaq 52 janë regjisorë debutantë.
Filmi hapës i Tirana International Film Festival është i titulluari “Kaymak” i regjisorit Milcho Manchevski, që është koproduksion nga Maqedonia, Danimarka, Holanda e Kroacia. Filmi paraqet dy çifte që eksplorojnë lidhje erotike jokonvencionale, duke ndërlidhur tema si prindërimi surrogat, roli i gruas në familje e shoqëri, trafikimi i njerëzve dhe liria seksuale.
Në krye të jurisë kryesore qëndron Constantine Giannaris, që është bërë i njohur si kineast i pavarur gjatë kohës sa jetonte në Londër. Ai jeton në Greqi që nga viti 2000. Filmat e Giannaris janë përmendur në festivale ndërkombëtare filmash dhe në forume të ndryshme. Në juri janë edhe regjisorja Marta Minoroëicz, dhe shkrimtari e diplomati Ylljet Aliçka. Në përmbyllje të Festivalit, më 29 shtator, do të jepen 24 çmime në katër kategori si dhe 4 çmime nderi që jepen nga audienca.
Festivali i Tiranës ka informuar se filmat do të shfaqen online, në webfaqen e tiranafilmfest.org./Katror.info