Sot kanë nisur punimet për krijimin e Rrjetit joformal të grave gazetareve. Kjo është bërë e ditur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes rrjetit social Facebook.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, bashkë me mbështetjen e dhënë nga British Council Kosovo, ka filluar sot punimet për Rrjetin joformal të grave gazetareve.
Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi, së bashku me Artiola Babuni – Koordinatore e Projekteve, gjatë ditës së sotme kanë zhvilluar takim informues me organizatat partnere të organizatës për themelimin e Rrjetit joformal të grave të gazetareve”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
Puna e këtij rrjeti është identifikimi dhe vlerësimi i situatës aktuale rreth nevojave, mangësive dhe mundësive për gazetaret në Kosovë.
“Mulliqi dhe Babuni informuan partnerët që ky Rrjet do vlerësojë dhe identifikojë situatën aktuale, nevojat, mangësitë dhe mundësitë për koleget gazetarë në Kosovë. Gjithashtu, se ky Rrjet, do të jetë në përputhje me objektivat strategjike të përshkruara në Programin e Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024 dhe Strategjinë e Kosovës për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026.
Në takim u diskutua se aktivitetet e realizuar në këtë Rrjet, do të kontribuojnë në mënyrë efektive në qëllimet kombëtare të barazisë gjinore dhe parandalimit të dhunës. Gjithashtu, do të krijojnë një mjedis më mbështetës dhe gjithëpërfshirës për gratë gazetare në Kosovë, duke ua lehtësuar kryerjen e detyrave profesionale”, thuhet tutje në njoftim.