Publikut që ishte mbledhur në hapësirën e Cineplexx për të parë filmin “Era” në regji të Parta Kelmendit, për dy orë iu transmetuan vështirësitë, guximi, shpirti i mbijetesës dhe qëndrueshmëria e popullit shqiptar të Kosovës gjatë viteve të 90-ta.
Regjisorja Kelmendi, që përjetoi si e re vitet e-90-ta, e dokumentoi në mënyrën më të mirë përmes filmit një tregim të kohës së viteve të 90-ta në Kosovë, një dëshmi historike për jetën pas përjashtimeve masive nga puna dhe përballjen e një gjenerate me realitetin e ri të asaj kohe, shkruan Katror.info.
Filmi artistik me metrazh të gjatë u shfaq të mërkurën mbrëma për herë të parë para publikut në Kosovë, pas premierës së tij ndërkombëtare në Brooklyn Film Festival në New York.
Pas filmit qëndron producentja Afërdita Saraçini Kelmendi, që me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës Kinematografike të Maqedonisë së Veriut, solli në ekran këtë histori të ndjeshme.

“Profesioni i producentit nuk është i panjohur, ngase në televizion jam producente ekzekutive, por për film po, ngase për herë të parë kam luajtur këtë rol të producentit në filmin e Partës. Nuk ka qenë lehtë, për shkak se kur krahë teje ke evladin tënd është pak më vështirë se përgjegjësia është më e madhe edhe po më duket që kam qenë ndoshta ndonjëherë edhe më kërkuese sesa do të kisha kërkuar ndonjë bashkëpunëtor tjetër. Sidoqoftë, filmi Era dhe skenari i këtij filmi na sjellin pikërisht atje ku ka filluar edhe rrugëtimi jonë i vështirë i një gjenerate e cila me vite të tëra është përballë me probleme shoqërore, të cilat fatmirësisht i ka tejkaluar,” u shpreh ajo.
Me regji dhe skenar nga Parta Kelmendi, përmes personazhit të Erës, filmi pasqyron jo vetëm ngjarjet e asaj kohe, por edhe ndikimin psikologjik që solli përmbysja e jetës së përditshme për shumë familje.
Historia e saj rrëfen për një vajze të re që, bashkë me familjen e saj, detyrohet të lërë Prishtinën dhe të shpërngulet në fshatin e gjyshes.
“Moment shumë i lumtur, mezi e kam pritë, se e kam ditë që është një audiencë speciale kjo e jona e Kosovës, plus një temë të cilën e ka përjetu secili prej nesh po mendoj jo gjeneratat e reja, por e kanë përjetuar përmes tregimeve të prindërve dhe gjyshërve tjera kështu që për r mu ka qenë mirë, ka qenë shumë kënaqësi dhe publiku e prit i mirë, kështu që jam e lumtur. Nuk është punë e lehtë, është punë e vështirë. Shkojnë vite të jetës, t’u punu, po mirë në fund rezultati kur është i mirë ajo është e rëndësishme,” u shpreh regjisorja Parta Kelmendi.
Zana Berisha, që luan protagonisten e filmit, Erën, e shpërblyer në New York me çmimin “Aktorja më e mirë”, edhe pse nuk e ka përjetuar luftën, ka arritur të mishërohet me përjetimet e një gjenerate të asaj periudhe.
“Ke interesant se sonte pata më shumë emocione sesa kur kam qenë atje dhe e kam prezantu filmin atje, normalisht, se kanë qenë gjithë familjarët e mi, kanë qenë gjithë miqtë e mi, kolegët. Unë nuk kam ekzistu në kohën kur ka ndodhë lufta në Kosovë, por ka qenë shumë interesant me me punu rolin e Erës dhe me punu një temë të tillë në film, për shkak se unë gjithmonë e them që është shumë interesant përparësinë që ta jep aktrimi thjesht me jetu do kohë që ti as nuk ke njohuri për to, as nuk ke ekzistu në atë kohë. Ka qenë risk, po mendoj që e kemi bo një punë të mirë me regjisoren, me prova, me diskutime,” tha aktorja Berisha.
Në premierë ishte i pranishëm edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili ftoi të gjithë të pranishmit të njiheshin me këtë histori.
“Sonte isha një mbrëmje fort e veçantë për shkak se bëhet fjalë për vitet e nëntëdhjeta, për vitet e adoleshencës dhe të rinisë sime kur ishim nën okupimin e egër të Serbisë pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, atëherë kur aparteidi i Serbisë dhe emigrimi i shqiptarëve u intensifikuan jashtëzakonisht shumë dhe nëpërmjet shikimit mbi Era Gashin, të cilën e luan në mënyrë të shkëlqyeshme Zana Berisha dhe nëpërmjet shikimit dhe syve të vet Era Gashit, ne e kuptojmë periudhën e cila i parapriu edhe gjenocidit të Serbisë, edhe Luftës Çlirimtare. Është tejet e rëndësishme që edhe ata që i kanë përjetuar ato vite, edhe ata që nuk i kanë përjetuar ato vite, meqenëse janë të rinj ta shikojnë këtë film, filmin Era të Parta Kelmendit,” u shpreh Kurti.
Për aktorët e filmit, nata ishte e mbushur me emocione të fuqishme, një moment reflektimi për përpjekjet e gjatë xhirimeve dhe për rrugëtimin artistik që i solli tek realizimi i këtij projekti.
“Jam shumë e lumtur edhe jam shumë e kënaqur edhe me krejt punën që e ka bo Parta. Më pëlqeu filmi! Më pëlqeu filmi shumë! Është ndoshta… t’u i marrë edhe shoqet të cilat jemi në atë gjeneratë, kemi qenë pak a shumë adoleshentë në moshën e Erës, edhe u prekëm shumë se është diçka që na kthei një kohë kur s’ka qenë gjithçka në rregull edhe kur ishim dashtë me bo ndoshta edhe gjëra të tilla,” rrëfeu aktorja Irena Aliu.
“Çdo film që xhirohet në Kosovë, kushedi ku me shku, në kulmin e festivaleve të kinematografisë botërore gjithmonë është e rëndësishme dhe një ndjenjë, kapitulli i veçantë kur shfaqet në Prishtinë. E sonte, e pata të njëjtin sen edhe jam tepër i lumtur me reagimin edhe me bisedat e njerëzve tash jam përnjëmend i emocionum edhe shumë i lumtur, edhe po e them kështu me krejt zemër,” vazhdoi tutje aktori Armend Smajli.
Mbrëmja ishte e mbushur me artdashës dhe figura të njohura të kulturës, të cilëve filmi u rikujtoi një periudhë të trazuar që la gjurmë të pashlyeshme në jetët e tyre.
“Është një kthim i bukur në një periudhë shumë të rëndë, fillimi i viteve ’90-ta është një spektër tematik jashtëzakonisht kompleks, shumë i vështirë me u trajtu në nivel kinematografik. Ka pak drama, pak filma në këtë temë dhe mendoj që nëse ka ndonjë periudhë që mundem me ba shumë vepra të bukura, janë vitet e nëntëdhjeta. Dhe më vjen shumë mirë që Parta, një vajzë në atë kohë e vogël që ka mujt me përjetu prej një këndvështrimi krejtësisht naiv, minor, e ka sjellë një vepër të jashtëzakonshme,” tha regjisori Fadil Hysaj.
Filmi ‘ERA’ vazhdon të shfaqet në Kosovë, duke ofruar për gjeneratat e reja një pasqyrë të jetës dhe sfidave të viteve të ’90./Katror.info.