Kosova arriti një fitore të vlefshme 1-0 kundër Suedisë, në kuadër të fazës kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026 në ndeshjen e luajtur në Goterborg.
Goli vendimtar erdhi në minutën e 32-të, kur Fisnik Asllani shfrytëzoi një aksion kolektiv që nisi me Muriqin dhe Hoxhën, për ta finalizuar me sukses përballë portierit suedez. Para këtij momenti, Asllani kishte provuar edhe një herë me një gjuajtje drejt portës, por pa sukses. Këtë herë, saktësia e tij u tregua vendimtare për fatin e ndeshjes.
Me këtë fitore, Kosova fiton tre pikë të reja dhe forcon pozicionin në Grupin B të kualifikimeve, ku bëjnë pjesë edhe Zvicra, Suedia dhe Sllovenia. Sipas rezultateve të fundit, Zvicra kryeson grupin me diferencë të vogël, ndërsa Kosova renditet e dyta, përpara Suedisë dhe Sllovenisë.
Fitorja në tokë suedeze është një arritje e madhe për përfaqësuesen dardane, e cila po tregon konsistencë dhe vendosmëri në këtë cikël kualifikimesh. Për Suedinë, humbja vjen si goditje e rëndë, duke e komplikuar më tej rrugën drejt Botërorit.
Në ndeshjen e parë mes këtyre dy skuadrave, e zhvilluar në Prishtinë, Kosova kishte triumfuar me rezultatin 2-0, me gola nga Elvis Rexhbecaj dhe Vedat Muriqi. Me këtë sukses të dytë radhazi ndaj Suedisë, Kosova konfirmon se është tashmë një konkurrent serioz në garën për kualifikim./Katror.info