Në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës edhe gjatë gjysmës së dytë të muajit gusht vijon të ketë fluks të shtetasve të Kosovës drejt plazheve shqiptare, por jo vetëm.
Prefekti i qarkut të Kukësit, Agron Geca tha sot për ATSH-në se “gjatë fundjavës që lamë pas në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë kanë hyrë 108 665 persona, ndër të cilët 17 583 shqiptarë dhe 91 082 të huaj”.
“Ndërsa nga data 1 qershor deri më 18 gusht të këtij viti kanë hyrë rreth 406 449 shtetas shqiptarë dhe 1 085 568 shtetas të huaj”, tha Greca.
Prefekti Geca u shpreh se “për shkak të lëvizjes së lirë pas implementimit të marrëveshjes ndërqeveritare Shqipëri-Kosovë këto shifra mund të jenë më të vogla sesa numri real i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri nga kjo pikë”.
Sipas tij, falë marrëveshjes së lëvizjes së lirë në kufi nuk janë shënuar radhë.
Ndërkohë që Policitë Rrugore të Shqipërisë dhe Kosovës për të parandaluar aksidentet kanë shtuar prezencën në rrugën e Kombit.
Edhe këtë verë shqiptarët e Kosovës kanë zgjedhur bregdetin e Shqipërisë për të kaluar pushimet verore. /Katror.info