Ministria e Mbrojtjes së Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës ka marr dritën e gjelbër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pajisje me helikopterë, shkruan Albanian Post.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndihmojnë Kosovën në ndërtimin e kapaciteteve për helikopterë, radarë dhe mbrojtje ajrore, duke e vendosur vendin tonë në një stad të ri të përgatitjes dhe sigurisë strategjike”, thuhet në njoftim.
Komunikata ndër të tjera citon ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin, i cili ka potencuar se “SHBA kanë riafirmuar edhe një herë përkushtimin e tyre për të forcuar sigurinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”.
“Mbështetja e SHBA-së përbën një shtyllë të rëndësishme për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës, si një vend me vizion euroatlantik. Mirënjohje të thellë për aleatin tonë të përhershëm, ShBA-në, për ndihmën dhe besimin e vazhdueshëm”, citohet të ketë thënë Maqedonci, i cili gjendet për një vizitë zyrtare në SHBA-të.
Forca e Sigurisë së Kosovës me vitin 2025 ka kaluar në fazën e tretë të tranzicionit të saj. E këto blerje të helikopterëve janë në kuadër të kësaj faze të tranzicionit./Katror.info