Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale nis sot për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar, më 12 shtator, dhe do të zgjasë deri më 12 tetor në orën 06:59 të mëngjesit, shkruan Katror.info.
KQZ-ja ka mbajtur më 11 qershor mbledhjen e parë pas caktimit të datës së zgjedhjeve dhe ka miratuar Planin e aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe kuvende komunale. Shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim është hedhur më 3 dhe 4 shtator. Ndërkohë, periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës ishte nga 23 korriku deri më 29 gusht, kurse votimi përmes postës do të bëhet nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025.
Në këto zgjedhje do të kenë të drejtë vote mbi 2 milionë qytetarë brenda dhe jashtë vendit. Sipas të dhënave të KQZ-së, lista e votuesve përfshin 2,069,098 persona, prej të cilëve 2,025,105 janë brenda Kosovës, ndërsa 43,993 qytetarë kanë regjistruar të drejtën për të votuar përmes postës nga jashtë vendit.
Por, sa janë përmbushur premtimet e komunave?
Instituti GAP para disa ditësh ka publikuar raportin e ri “Letërnjoftimi i Komunave 2025”, i cili paraqet trendet kryesore në 38 komunat e Kosovës, duke përfshirë fusha si demografia, arsimi, mirëqenia sociale, administrata, buxheti, ndërmarrësia, shërbimet publike dhe transparenca.
Gjetjet tregojnë ndryshime të theksuara demografike dhe sociale, duke përfshirë rënien e përgjithshme të popullsisë, migrimin drejt zonave urbane, numrin e lartë të banesave të pashfrytëzuara dhe ndryshimet në numrin e nxënësve dhe stafit arsimor. Ndërkohë, edhe pse buxhetet komunale kanë shënuar rritje graduale, të hyrat vetanake mbeten të ulëta, ndërsa borxhet e pambledhura dhe shpenzimet për obligime gjyqësore janë dyfishuar brenda një viti, duke krijuar presion mbi financat e komunave.
Raporti evidenton gjithashtu hendekun gjinor në pozita udhëheqëse dhe thekson se, përkundër disa përmirësimeve në transparencën buxhetore dhe rritjen e punësimit, performanca e komunave në fusha kyçe mbetet e ulët. Në fushën e ndërmarrësisë, komunat më të mëdha vazhdojnë të jenë qendrat kryesore ekonomike dhe të regjistrojnë pjesën më të madhe të bizneseve të reja.
Raporti “Letërnjoftimi i Komunave 2025” është pjesë e një serie të vazhdueshme që Instituti GAP publikon që nga viti 2009, duke ofruar të dhëna të krahasueshme ndër vite dhe ndërmjet fushave të ndryshme të nivelit lokal.