Arritja historike e skuadrës gjermane Elversberg drejt plejofit për të siguruar Bundesligën i detyrohet në masë të madhe sulmuesit Fisnik Asllani. I huazuar nga Hoffenheimi, talenti nga Kosova ka shkëlqyer këtë sezon, duke regjistruar 18 gola dhe 9 asistime – shifër që e rendit si golashënuesin e dytë më të mirë në Bundesliga 2. Tani, gjysma e Bundesligës është në ndjekje të 22-vjeçarit, raporton “Bild”.
Borussia Monchengladbach, Werder Bremen, Freiburg dhe Stuttgart kanë shprehur interes konkret për Asllanin. Ndërkohë, Union Berlin dhe FC Koln kanë kontaktuar Hoffenheimin që në dimrin e kaluar për të pyetur mbi të ardhmen e sulmuesit. Edhe nga jashtë Gjermanisë nuk mungon interesimi: Sporting Lisbona, Fenerbahçe, Anderlecht dhe Lille janë në mesin e klubeve që po e ndjekin me vëmendje.
“Fakti është se Fisniku është lojtar i yni. Nëse kthehet këtë verë, ka kontratë deri në qershor të vitit 2026. Sigurisht që kemi zhvilluar tashmë disa bisedime dhe do të përpiqemi të zgjasim kontratën e tij”, ka thënë drejtori sportiv i Hoffenheimit, Andreas Schicker.
Pas huazimit tek Austria Vienna gjatë sezonit 2023/24, ku dëmtimi në tendinë e mbajti jashtë fushës për tre muaj, Asllani u huazua verën e kaluar tek Elversbergu. Atje punoi intensivisht për rikthimin në formë dhe shpërtheu me paraqitje të shkëlqyera. Brenda një viti, vlera e tij në treg është rritur nga 800 mijë në 4 milionë euro.
Aktualisht, Elversbergu llogarit në ndihmën e Asllanit për ta kompletuar promovimin e tretë në katër vjet.
Elversburgu do ta luajë sfidën e plejofit për ngjitje në Bundesligë me Heidenheimin – dy qytete që kanë popullsi të përbashkët prej rreth 66 mijë banorë. Ndeshjet do të zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje./KOHA/Katror.info