Agjutanti i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovës (GKA), Gjeneral Major Stephen Osborn, ka përfunduar vizitën zyrtare në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë në kuadër të partneritetit shtetëror ndërmjet GKA-së dhe FSK-së, shkruan Katror.info.
Në fillim të vizitës, Gjenerali Osborn u prit nga Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari. Të dy gjeneralët diskutuan për “bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të programit të partneritetit shtetëror të FSK-së dhe GKA”.
Sipas njoftimit të FSK-së në rrjete sociale, gjatë qëndrimit në Kosovë, Gjenerali Osborn vizitoi Komandën e Logjistikës (KL), ku u njoh me “zhvillimin dhe kapacitetet logjistike, sfidat dhe objektivat për të ardhmen”. Ai gjithashtu mbajti një fjalim motivues para kadetëve të Akademisë së Mbrojtjes, duke vlerësuar “rolin e Akademisë në përgatitjen e udhëheqësve të rinjë”.
Një pikë e rëndësishme e agjendës ishte vizita në Babaj të Bokës dhe Aeroportin e Gjakovës, ku Gjenerali Osborn pa nga afër zhvillimet në projektin e Qendrës së Mirëmbajtjes së HMMWV, një “projekt i përbashkët me SHBA-të në të gjitha fazat”. Ai gjithashtu vizitoi poligonin ku do të zhvillohet ushtrimi ndërkombëtar “Defender Europe 25/Immediate Response 25 (DE25/IR25)”.
Në përmbyllje, Gjenerali Osborn falënderoi Gjeneral Jasharin dhe personelin e FSK-së për mikpritjen, duke shprehur “lumturinë me zhvillimet që po bën FSK në të gjitha fushat” dhe konfirmoi “mbështetjen e tij në rrugën përpara drejt arritjes së qëllimeve strategjike në ngritjen e kapaciteteve operacionale” të FSK-së.
Kjo vizitë vuri në pah angazhimin e vazhdueshëm për forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës./Katror.info