Presidenti i Azerbajxhanit ka shtuar 12 gra në komitetin organizativ që më herët përbëhej vetëm nga burrat, për samitin global të klimës Cop29, të cilin vendi do ta presë në dhjetor.
Lëvizja vjen pas një reagimi të ashpër pasi The Guardian raportoi përbërjen fillestare prej 28 anëtarësh të komitetit, i cili u quajt “regresiv” nga grupi i fushatës “She Changes Climate” (Ajo Ndryshon Klimën).
“Ndryshimet klimatike prekin të gjithë botën, jo gjysmën e saj”, tha grupi.
Midis grave të shtuara janë Umayra Taghiyeva, zëvendësministrja e Ekologjisë dhe Burimeve natyrore, komisionerja për të Drejtat e Njeriut, Sabina Aliyeva dhe Bahar Muradova, kryetarja e komitetit shtetëror për Problemet e Familjes, Grave dhe Fëmijëve, raporton The Guardian.
“Ky është progres pozitiv, por ne jemi ende larg një ekuilibri gjinor 50:50. Kjo është një zgjidhje e shpejtë, por jo e mjaftueshme”,tha Elise Buckle, bashkëthemeluese e “She Changes Climate”.
Pothuajse të gjithë anëtarët e komitetit Cop29 janë ministra ose zyrtarë të qeverisë, duke përfshirë kreun e shërbimit të sigurisë shtetërore. Kreu i rrjetit shtetëror të shpërndarjes së gazit të Azerbajxhanit është gjithashtu në komitet.
Christiana Figueres, shefja e klimës e OKB-së kur u dorëzua marrëveshja historike e Parisit në vitin 2015, e kishte quajtur panelin vetëm meshkuj “tronditës dhe të papranueshëm”./Katror.info