Grupi legjendar britanik i rokut, Oasis, është ribashkuar për një turne muzikor për herë të parë, që nga ndarja më 2009. Turneu do të mbahet vitin e ardhshëm dhe do të përfshijë 14 data në Britani të Madhe.
Në një postim në “X” (ish-Twitter) frontmenët e grupit, vëllezërit Noel dhe Liam Gallagher, kanë shkruar: “Po ndodh”.
Biletat për turneun do të dalin në shitje më 31 gusht. Njoftimi i grupit për rikthim vjen në 30-vjetorin e albumit debutues të Oasis “Definitely, Maybe” më 1994.
Vëllezërit Gallagher kishin pasur marrëdhënie të tensionuar qëkur u ndanë më 2009, shpesh duke akuzuar njëri-tjetrin publikisht.
Albumi i vitit 1995 “(What’s the Story) Morning Glory?” ishte më i famshmi i grupit. Ai përfshinte këngët që tashmë janë hite të përhershme, “Wonderwall”, “Don’t Look Back in Anger” dhe “Champagne Supernova”.
Albumi më i fundit i grupit është ai i 2008-s, “Dig Out Your Soul”. Noel e kishte braktisur grupin në vitin 2009 duke thënë se nuk mund të punonte më me të vëllain.
Të dy vazhduan me karrierë të suksesshme si solo artistë. Liami ka lansuar tre albume dhe disa bashkëpunime, ndërsa Noeli udhëhoqi grupin e ri “High Flying Birds” dhe ka publikuar katër albume./Katror.info