Ju mund ta njihni muzikën në kokën tuaj, por nuk e dini nga ku, mund ta dini emrin por nuk e mbani mend pse. Emri është Hans Zimmer. Është ky emri pas çdo partiture të shkruar për çdo të tretin film të madh në Hollywood në 40 vjet. Përveç kësaj, muzika e tij vjen në mendje për shumë këngë komerciale, kolona zanore për dokumentarë të ndryshëm, tema televizive, sportive dhe muzikë për video lojëra.
Zimmer ka një tingull të veçantë që njihet menjëherë. Përdorimi i tij i një game të gjerë instrumentesh shpesh duke u ndihmuar edhe me teknologji krijon një tingull unik që është vlerësuar për aftësinë e tij dinamike për të ngjallur emocione të fuqishme te audienca.
Një nga aspektet më të shquara të muzikës së Zimmer është se si ajo mbështet dhe lartëson narrativën e një filmi, Zimmer komunikon emocionet dhe mendimet e personazheve pa u mbështetur në dialog. Ai e nxjerr tonin e filmit direkt nga skenari dhe e përcjell te shikuesi.
I lindur më 12 shtator 1957 në Frankfurt Main, Gjermani, Hans Zimmer vendosi të mësonte bazat e kompozimit vetë. Mësuesi i pianos i Hans Zimmer nuk e kishte menduar kurrë se nxënësi i tij do të ishte një nga kompozitorët më të suksesshëm në Hollywood. Nxënësi i tij mori mësime vetëm për dy javë para se mësuesi i tij të hiqte dorë nga ai. Siç tregon historia, ai i tha nënës së Zimmerit: “Ose largohet djali juaj nga kjo shkollë ose unë”.
Por, incidenti vështirë se la përshtypje te Hans Zimmer, gjashtë vjeç në atë kohë. Në një nga AMA-të e tij në Reddit, pyetje- përgjigje ai tha: “Trajnimi im formal ishte dy javë mësime në piano. Më përjashtuan nga tetë shkolla. Por, u bashkangjita me një pop grup. Unë jam autodidakt. Por, megjithatë gjithmonë kam dëgjuar muzikë në shkollën time. Dhe unë jam një fëmijë i shekullit të 20-të, kompjuterët më ndihmuan shumë në krijimtarinë time.”
Gjatë fëmijërisë së tij, ai u ndikua fuqishëm nga partiturat e filmit të Ennio Morricone dhe përmend “Once Upon a Time in the West” (Dikur e një herë në Perëndim) si kolonën zanore që e frymëzoi atë të bëhej kompozitor filmi.
Ai u zhvendos në Londër si adoleshent dhe ndoqi shkollën Hurtwood House. Hans Zimmer ka qenë një pionier në industrinë e muzikës digjitale dhe kontributet e tij kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në mënyrën se si krijohen partiturat e filmave. Stili unik i kompozimit të Zimmer ka frymëzuar shumë kompozitorë të tjerë që të eksperimentojnë me tinguj dhe stile të ndryshme – dhe të krijojnë partitura emocionalisht të fuqishme. Zimmer ka qenë gjithashtu një avokat për përdorimin e teknologjisë për të përmirësuar procesin krijues dhe një mbështetës i zjarrtë i përdorimit të mjeteve digjitale për të krijuar muzikë.
Përpara se të fitonte famë si kompozitor filmi, Zimmer e përdori dashurinë e tij për muzikën drejt këngëve komerciale dhe madje performoi në videoklipin e parë të transmetuar në MTV, “Video Killed the Radio Star” më 1979 me grupin The Buggles, video e cila paralajmëroi invazionin e video klipeve në kanalet muzikore.
Në fillim të viteve 1980 ai ka kontribuar si producent, muzicient ose kompozitor në shumë rock dhe pop grupe që filluan të përdorin muzikën elektronike.
Zimmer shumë shpejt u bë një multi-instrumentalist, i cili krijonte në shtëpinë e tij me një kitarë, ose në tastierën e një piano ose sintetizuesi. Krijimi i muzikës elektronike ka formuar një pjesë të madhe të karrierës së tij, nga interesi i tij rinor për mundësitë e saj teknologjike në zhvillim e deri te hapja e terreneve të reja në përdorimin e saj në muzikën e filmit. Zimmer më vonë gjeti një mentor dhe partner biznesi në kompozitorin e filmit Stanley Myers.
Ata themeluan një studio në Londër dhe punuan së bashku në projekte. Disa nga titujt më të hershëm të Zimmer në këtë kohë përfshijnë filmin e Channel Four “My Beautiful Launderette” (Lavanderia ime e bukur) “The Fruit Machine” (Makina e frutave) dhe mini-serialin “First Born” (I linduri i parë). Rezultati i parë solo i Zimmer ishte “Terminal Exposure” (Ekspozimi i terminalit) për regjisorin Nico Mastorakis në 1987, për të cilin ai shkroi edhe këngët. Zimmer veproi si producent i partiturës për filmin e vitit 1987 “The Last Emperor” (Perandori i fundit), i cili fitoi çmimin Oscar për këngën më të mirë origjinale.
Tingulli i tij tërhoqi vëmendjen e producentëve dhe regjisorëve, dhe nuk kaloi shumë kohë dhe filluan ofertat nga Hollywoodi. Momenti kthesë ndodhi me filmin e vitit 1988 “Rain Man” (Njeriu i shiut).
Regjisori Barry Levinson, ishte i impresionuar pasi që e kishte dëgjuar kolonën zanore të dramës “A World Apart” (Bota e ndarë) kundër aparteidit, për të cilën Zimmer kishte kompozuar muzikën. Në partiturë për “Rain Man” Zimmer përdor sintetizues të përzier me bateri çeliku. Zimmer shpjegoi se “Ishte një Road Movie dhe në këto filma zakonisht kolonat kanë kitara të zymta ose një tufë orkestrash. Zimmer nuk donte që partiturat të shndërrohen në diçka më të mëdha se karakteret në film.
Personazhi Raymond, autist i rëndë ,i luajtur në mënyrë fenomenale nga Dustin Hoffman nuk e di në të vërtetë se ku ndodhet, Ai është kaq i ndryshëm nga bota përreth tij. Ai gjithashtu mund të jetë në Mars në mendjen e tij, prandaj Zimmer përdor tinguj modern sintetizues ku ndihmohet edhe nga flauta emocionale për të bërë baraspeshë në ndjenjat e karakterit. Në vetëm 30 vjeç, ai punoi me një legjendë si Dustin Hoffman dhe një aktor në zhvillim si Tom Cruise. Në këtë film rëndësi parësore kishin heshtjet muzikore, në dobi të duelit interpretues Hoffman – Cruise. Rezultati i tij i parë i nominuar për Oscar për “Rain Man” 1988 filloi karrierën e tij në industrinë e filmit.
Filmi klasik i animuar i Disney-t i vitit 1994 “The Lion King” (Mbreti Luan) përfshin dashurinë, guximin, rritjen, familjen dhe humbjen. Fillimisht Zimmer kishte dashur të shkonte në Afrikën e Jugut për të incizuar pjesë të kolonës zanore, por nuk guxoi pasi ai kishte një dosje policie atje shkaku i filmit “The Power of One” për të cilin ai kishte kompozuar muzikën. Drejtuesit e studios së Disney shprehën frikën se Zimmer do të vritej nëse do të shkonte në Afrikën e Jugut, kështu që incizimi i koreve u organizua gjatë një vizite nga Lebo, producent dhe kompozitor nga Afrika e Jugut në Hollywood.
Aftësia e Zimmer për të lidhur emocionet komplekse të pikëllimit dhe humbjes në mënyrë kohezive përmes zërit e sjell filmin në një kalibër më të lartë. Ndërsa Elton John dhe Tim Rice shkruan këngët për “Lion King”, dhe fituan Oscar për “Can You Feel the Love Tonight”(A mund ta ndjesh dashurinë sonte) ishte Zimmer ai që dha zemrën emocionale të kolonës zanore të filmit. Ai madje, poashtu fitoi Oscar për të.
Për dramën nga lufta e dytë Botërore “The Thin Red Line” (Vija e hollë e kuqe) regjisori Terrence Malick donte muzikën përpara se të fillonte xhirimet, kështu që Zimmer komponoi dhe incizoi gjashtë orë e gjysmë muzikë. Projekti tjetër i animuar ishte “Prince Of Egjypt” (Princi i Egjiptit) (1998), i cili u prodhua nga DreamWorks Animation. Ai angazhoi Ofra Haza, një këngëtare izraelite jemenite për vokale. Regjisorët dhe skenaristët e konsideruan atë aq të bukur, sa që projektuan një nga personazhet në film që i ngjante asaj.
Bashkëpunimi i afatgjatë i tij me regjisorin Ridley Scot kurorëzohet me “Gladiator” (Gladiatori) muzika e cila na sillet në kokë sa herë që shohim çfarëdo që ka të bëjë me Romën e lashtë. Historia e “Gladiatorit” paraqet Maksimusin të luajtur nga Russel Crow, gladiator ish gjeneral që lufton për të vërtetën, emrin dhe familjen e tij. Kjo krijon një atmosferë intensiteti dhe lavdie, siç e ndjenë gladiatorët duke luftuar për jetë a vdekje. Në skenën e fundit, ku Maksimusi që po vdes sheh pamjet e jetës së tij, një zë i butë dhe dekadent femëror këndon një këngë që pothuajse i kërkon atij të ndalojë së luftuari dhe të kthehet në shtëpi.
Hans Zimmer dhe vokalistja Lisa Gerrard, kompozitore shkrimtare dhe vokaliste e grupit Australian Dead Can Dance, bashkëpunojnë duke përdorur idioglossia, një gjuhë idiosinkratike e shpikur dhe e folur vetëm nga një person. Ashtu si vokalistja Gerrard që është e vetmja që e di kuptimin e vërtetë të këngës, Maximus është i vetmi që e di se çfarë e pret pas vdekjes e shikuesi i kupton të gjitha këto përmes muzikës së Zimmer. Me nota të lëkundura dhe momente të shkurtra dhe të forta ritmike Zimmer krijon atmosferën ndër më madhështoret në filmat me temë historike.
Në partiturën e tij të filmit për “Kung Fu Panda 3”, Zimmer kombinon teknologjinë, kulturën muzikore kineze dhe aftësinë e tij për të portretizuar skena të ndryshme përmes muzikës. Me rëndësi të veçantë është aftësia e Zimmer për të përfshirë muzikën kineze në partiturën e një filmi hollivudian. Zimmer përdor dhe eksperimenton me teknologjinë më të fundit të asaj kohe dhe bashkëpunon me artistë të shumtë, duke përfshirë pianistin me famë botërore Lang Lang dhe interpretues dhe këngëtarë të tjerë instrumentalë kinezë. Zimmer kompozoi një kolonë zanore që përshtatet në mënyrë autentike me stilin dhe epokën orientale dhe me këtë kolonë zanore muzika e lashtë kineze bëhet e aksesueshme për audiencë ndërkombëtare.
Ndërsa shkruante partiturën për “The Last Samurai” (Samuraji i fundit), prapë me Tom Cruise, Zimmer mendoi se njohuritë e tij për muzikën japoneze ishin jashtëzakonisht të kufizuara. Ai filloi të bënte kërkime të gjera, por sa më shumë studionte, aq më pak ndjente se dinte. Më në fund, Zimmer mori atë që kishte shkruar në Japoni si përshkrime të përshtypjeve muzikore dhe u habit kur u pyet atje se si dinte aq shumë për muzikën japoneze.
Një ekskluzivitet aq i popullarizuar dhe i dashur do të ishte i paplotë për “Pirates of the Caribbiean” (Piratët të Karaibeve) pa kolonën zanore të Hans Zimmer. Muzika e tij pasqyron ritmin e shpejtë të filmit dhe natyrën e paparashikueshme të protagonistit Jack Sparrow të luajtur nga Johny Deep.
“Batman” është një emër i njohur në film dhe partitura e Zimmer thekson se si muzika përcakton karakterin ikonik përgjatë trilogjisë së “Dark Knight” të regjisorit Christopher Nolan. Është suspensuese, e frikshme dhe me zemër. Nuk është një temë e filmave vizatimorë të lumtur për Superman. Është e errët, e frikshme, duke përmbledhur në mënyrë të përsosur versionin e Batman të Chistopher Nolan me Christian Bell në rolin kryesor. Me daulle pulsuese, gumëzhitje, madje edhe me tinguj natyralë të krahëve të lakuriqëve të natës, tema e Zimmer është si një parandjenjë e fuqishme. I njohur si mendjemprehtë por edhe konfuz në tingujtë e vet, Zimmer përmbledh në mënyrë të përsosur atë që supozohet se tingëllon brenda ëndrrave të dikujt si në filmin “Inception” (Fillimi) me Leonardo Di Caprio.
“Time” (Koha) nga kolona zanore e filmit përdor shumë instrumente, është pothuajse pesë minuta e gjatë dhe çdo instrument ka një shans për solo pjesë. Ajo bëhet më e zhurmshme ndërsa vazhdon dhe qetësohet me një notë të vetme pianoje rreth minutës 3:35. Kënga e Zimmer mishëron mënyrën se si kalon koha, nga qetësia e fillimit të jetës e deri te qetësia e vdekjes. Është rreth i plotë dhe ëndërrimtar, siç synonte të paraqiste në film regjisori Nolan.
“Interstellar” (Ndëryjorë) me Matthew McConaughey ka një kolonë zanore eterike, të botës tjetër. Muzika në të gjithë kolonën zanore ka një ton ngritës dhe dëshirues. Edhe në prag të katastrofës, shpresa mbetet në sfond. Zimmer merr tingujt klasikë të kishës gotike dhe i përdor ato për të krijuar një partiturë jashtëzakonisht komplekse. Për më tepër, leximi i aktorit Michael Caine i “Dont Go Gentle Into That Good Night” (Mos ik qetë në atë natë të mirë) shtyn mesazhet e filmit për qëndrueshmërinë e shpirtit njerëzor dhe shpresën për të ardhmen përpara.
Më 2016, Zimmer kompozoi temën kryesore për dokumentarin natyror të BBC-së “Planet Earth II” (Planeti Toka II) i prezantuar nga David Attenborough. Ai më vonë kompozoi partiturën për dokumentarin e natyrës të BBC-së 2017 “Blue Planet II” (Planeti i kaltërt II) së bashku me Jacob Shea dhe David Fleming, të prezantuar gjithashtu nga David Attenborough.
Në një intervistë për BBC Radio, më 2022 Zimmer pat thënë se, e vetmja punë që ka bërë dhe vlen është puna për Sir David Attenborough, sepse është e vetmja gjë që në të vërtetë do të thotë diçka, sado i vogël të jetë ndikimi i këtyre dokumentarëve në mënyrën se si i qasemi planetit ia vlen të punohet në atë drejtim. Në vitin 2018, Zimmer kompozoi partiturën për himnin e ri të FIFA-s, të quajtur “Living Football” që u përdor si temë e prezantimit televiziv për Kupën e Botës. Gjithashtu në vitin 2018, Zimmer remixoi Himnin e UEFA Champions League me reperin Vince Staples për video-lojën FIFA.
Më 2021 Zimmer komponoi kolonën zanore pë filmin “Dune” (2021), me cilin ai fitoi Oscarin e dytë. Muzika e filmit u publikua në disa vëllime të ndryshme. Ai gjithashtu kompozoi partiturën për vazhdimin, i lëshuar në vitin 2024. Zimmer ka filluar të shkruajë muzikë për një film të tretë të mundshëm “Dune” ndërsa regjisori Denis Villeneuve ka filluar me skenarin e filmit.
Me gjithë gjenialitetin e tyre regjisorët Christopher Nolan, Ridley Scott, Ron Howard, Gore Verbinski, Michael Bay, Guy Ritchie, Denis Villeneuve dhe shumë të tjerë filmat e të cilëve janë sado të mrekullueshëm, do të ishin më të vobektë pa kolonat zanore nga Hans Zimmer.
Zimmer në koncertet e tij e ka rolin e dirigjentit, por nuk përton të marrë kitarën ose të ulet në tastatura të pianos dhe sintetizueseve të luajë me orkestrën simfonike, ai është nominuar për 206 çmime muzikore dhe është fitues i 55 të tyre, përfshi 2 nga 12 nominime për Oscar, 5 Grammy nga 22 nominime dhe 3 Golden Globe nga 15 nominime.
Më 2010, Zimmer fitoi yllin e tij në Hollywood Walk of Fame. Ai ia kushtoi çmimin publicistit dhe mikut të tij afatgjatë Ronni Chasen, i cili ishte qëlluar dhe vrarë në Beverly Hills një muaj më herët. Në qershor 2016, Zimmer ishte një nga fituesit inaugurues të Medaljes “Stephen Hawking” për Komunikimin në Shkencë. Në nëntor 2017, një asteroid i brezit kryesor i zbuluar nga astronomët polakë Michał Kusiak dhe Michał Żołnowski, u emërua “Hanszimmer”. Më 2 tetor 2018, Zimmer mori Urdhrin e Meritës të Republikës Federale të Gjermanisë. Në vitin 2019, Zimmer shpallet legjendë e Disneyt./Katror.info