Të mërkurën është hapur qendra për trajtimin e qenve endacakë në Prishtinë, ku është thënë se deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm parashihet të ketë 1500 qen endacakë me pak në kryeqytet.
Në hapjen e qendrës mori pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, shkruan Koha.net.
Rama ka thënë se qentë që do të trajtohen në këtë qendër nuk do të lëshohen më në rrugë.
“E mira është që pas trajtimit në këtë qendër, qentë nuk do lëshohen më në rrugë por do nisen procedurat për dhënien e tyre për adaptim te qytetarët e interesuar. Për këtë ndihmesë është edhe subvencionimi i tyre prej 50 eurove”, ka thënë Rama.
Bekim Brestovci, drejtor për Shërbime Publike në Prishtinë, u shpreh se qendra ka kapacitet për strehimin e 350 qenve.
“Pra, prej këtu më asnjë qen endacakë nuk do lëshohet në rrugët e Prishtinës e që pritet deri në marsin e vitit të ardhshëm të ketë 1500 qen më pak në Prishtinë”, ka deklaruar Brestovci.
Menaxhimi e kësaj qendra do ta bëjë ndërmarrja publike “Gjelbër”./Katror.info