Një specie e rrezikuar në Australi, “possumi” i vogël malor, është rikuperuar në numrat para zjarreve të mëdha falë ndihmës së nxënësve të shkollave në rajonin malor të Australisë.
Kjo krijesë e vogël, e vetmja në kontinent që dremit nën borë gjatë dimrit për të kursyer energji, peshon vetëm rreth 40 gramë dhe jeton vetëm në zonat alpine të shtetit New South Wales dhe në Alpet Viktoriane në verilindje të Australisë, shkruan GoodNewsNetwork, përcjell Katror.
Pas thatësirës së vitit 2017 dhe zjarreve shkatërruese të vitit 2020, numri i tyre ra në vetëm 700 individë. Por pas disa viteve përkujdesje të veçantë – përfshirë ushqim emergjent – popullsia e tyre është rritur përsëri në gati 1.000.

“Janë krijesa shumë të ëmbla dhe unike, pasi jetojnë vetëm në pak zonë alpine që ka Australia,” tha Dr. Linda Broome nga Departamenti i Mjedisit në NSW për ABC News Australia.
Përveç zjarreve, thatësira e vitit 2017 ndikoi ndjeshëm në mungesën e larvave të fluturës Bogong, ushqimi kryesor i possumit.
Pikërisht në këtë moment ndërhynë nxënësit e shkollave në qytetet Berridale, Jindabyne, Cooma dhe Adaminaby, të cilët krijuan “biskota Bogong” – një përzierje me makadamia, krimba ushqimorë dhe vajra për të zëvendësuar yndyrën e larvave të munguar.
“I ushqyem për dy vjet derisa u rikuperua vegjetacioni,” tha Dr. Broome. “Po të mos kishim ndërhyrë, numri i tyre do të binte nën 500.”
Kjo histori është një shembull frymëzues i bashkëpunimit mes shkencës, komunitetit dhe shkollave për të shpëtuar një specie të rrallë./Katror.info