Punk është një gjë e vështirë për t’u përcaktuar. Në fund të fundit, është një qëndrim aq sa është edhe zhanër muzikor, por është edhe ideologji, art viziv, modë, letërsi, mënyrë e jetës.
Duke u shfaqur në mesin e viteve ‘70, punkët ishin përgjithësisht ikonoklasë kundër establishmentit me një shije për ekstremin.
Flokët të lyera me ngjyra të ndezura, lëkurë, latex dhe ‘piercing’ ishin uniforma fisnore, një stil pionier nga stilistja amatore asokohë, rebeluese, por vizionare e modës Vivienne Westwood.

Kjo ishte një luftë kundër borgjezisë, normës, burokracisë, njeriut.
Nën estetikën ishte substanca politike. Grupet origjinale anarko-punk si Crass dhe Poison Girls këndonin dhe predikonin për të drejtat e kafshëve, feminizmin dhe ambientalizmin shumë kohë përpara se të bëheshin pika kryesore e diskutimeve liberale në botë.
Pankerët ishin përgjithësisht vegjetarianë, pacifistë, antifashistë, profeministë dhe, dashamirës ndaj të shtypurve. Ata mbanin një kujdes të rreptë ndaj njëri-tjetrit për etikën, dhe si krim përfundimtar konsideronin “shitjen e talentit në komercializëm”.
Ata i përmbaheshin një etike anti-autoritare në performansat dhe realizimet muzikore të tyre.
Agimi i internetit dukej sikur mund t’i lejonte pankerët në mbarë botën të merrnin në duart e tyre prodhimin ikonografik dhe muzikor, por fatkeqësisht në pjesën më të madhe, interneti ka rezultuar në një komercializim të filozofisë së dikurshme radikale të punk-ut.
Krijuesit e hiteve të njohura globalisht, shumë milionë dollarësh si Lady Gaga, kanë adoptuar estetikën e punk-ut por pa politikën anarkike për ta mbështetur atë.
Nën kontrollin e kompanive diskografike mercenare me udhëzime strikte të marrëdhënieve me publikun (PR), yjeve të ashtuquajtur ‘Punk’ të sotëm u mungon e tërë ideja nga vlerat e lëvizjes origjinale, ideja e rebelimit dhe alternativës.
Pas rokut rebelues të Elvis Presleyt, rokut afirmativ të Beatles dhe rokut progresiv të Pink Floyd, muzika moderne rrezikohej të mbetej vetëm art i argëtimit për masa, pa përmbajtje, pa kritkë dhe pa shpirt.
Punk-u këtë e shtyri edhe për një kohë të gjatë i dha kuptimësi tërë një gjenerate që pakënaqësitë i artikulonte përmes muzikës.
Nënkultura punk u shfaq në mesin e viteve ‘70, në Nju Jork u shfaq më 1974 dhe në Mbretërinë e Bashkuar më 1976. Disa sugjerojnë se emri “Punk” është huazuar nga zhargoni i burgut.

Punk-u i hershëm kishte një bollëk pararendësish dhe ndikimesh, dhe përshkruhet si nënkulturë e pothuajse çdo kulture të mëparshme rinore në botën perëndimore që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në fund të viteve ’70, nënkultura filloi të diversifikohej, gjë që çoi në përhapjen e fraksioneve si New Wave, Post-Punk, 2 Tone, (Muzikë me dy tone) Pop Punk, (Street Punk) i cili u përpoq të hiqte mendjelehtësitë e paraqitura në vitet e mëvonshme të lëvizjes origjinale të Punk-ut.
Subkultura e punk-ut ndikoi në skena të tjera muzikore underground si rock alternativ, muzika Indie, Crossover Thrash dhe nënzhanret ekstreme të metalit të rëndë.
Disa grupe dhe individë që përpiqen të vetë-identifikohen si pjesë e nënkulturës punk kanë pikëpamje pro-naziste ose fashiste, megjithatë, këto grupe naziste/fashiste refuzohen pothuajse nga e gjithë nënkultura e punk-ut.
Fjala Punk për herë të parë në një kontekst muzikor u përdor gjatë fillimit të viteve 1970, kur albumet përmbledhës si Nuggets (1972) e Lenny Kaye krijuan një modë për garazh rock të thjeshtë.
Ndërkohë, grupe të tjera amerikane si MC5, Iggy Pop dhe Stooges dhe New York Dolls kishin filluar të përdornin hard rock për të reflektuar dhe përcaktuar ankthin rinor. Më 1975 Punk-u kishte arritur në skenën minimaliste, letrare të rock-ut në CBGB, klubi i qytetit të Nju Jorkut ku performuan grupi The Television, Patti Smith, Blondie, Talking Heads.
Ramones performuan gjithashtu atje, dhe albumi i tyre debutues i vetëtitulluar i vitit 1976 u bë standard për Punk: kitarat si zhurmë e energjisë, bateri si teksturë dhe vokali si slogane. Pas shqetësimeve baritore të hipive, punk-u ishte një festë e urbanizmit, një rikthim i qytetit të brendshëm. Termi u përhap në Britani, ku grupi më i famshëm punk Sex Pistols u kompletuan nga Malcolm McLaren për të promovuar dyqanin e tij të modës në Londër, i cili shiste veshje fetishiste të veshura me slogane nga skajet më të largëta të politikës radikale të atyre viteve.
Të shpallur nga manifesti i tyre me këngën “Anarchy in the U.K.”, Sex Pistols themeluan Punk-un si një stil kombëtar në Britani që kombinonte modat konfrontuese me hard rock-un e përshpejtuar dhe tekstet aluzive, të ndërgjegjshme shoqërore që trajtonin pritshmëritë e pakta të rinisë të viteve 1970.
I armatosur me një kritikë të industrisë së muzikës dhe konsumizmit – të mishëruara në këngë të tilla si “EMI” e Sex Pistols dhe “Identity” e X-Ray Spex – Pank-u i hershëm britanik krijoi një ringjallje të interesit për rock.
Duke pasqyruar trazirat sociale me një seri këngësh vizionare të shtruara me humor të zi, grupe të tilla si Buzzcocks (Orgazm Addict), Clash (“Complete Control”) dhe Siouxsie and the Banshees (“Hong Kong Garden”) The Stranglers (“Peaches”) shënuan hite në 1977–78.
Punk-u anarkist, decentralizues dhe libertarian në Mbretërinë e Bashkuar u tërhoq në politikën e polarizuar të shoqërisë britanike dhe në vitin 1979 u vetëshkatërrua si një stil pop. Grupet Postpunk si “Public Image Ltd” dhe “Joy Division” zëvendësuan botën e punk-ut me shqetësimet e brendshme, duke e përshtatur rock-un me ritmet teknologjike.
Sidoqoftë, ndikimi i punk-ut mund të shihet në të gjithë shoqërinë britanike, veçanërisht në taktikat e goditjes së mediave masive, strategjitë konfrontuese të ambientalistëve dhe përhapjen e kompanive të pavarura diskografike.
Edhe pse sukseset e Sex Pistols të vitit 1977 (kryesisht “God Save the Queen” dhe “Pretty Vacant”) e bënë Britaninë vatër të lëvizjes së re rinore, zhvillime të ngjashme kishin ndodhur në Francë, Gjermani, Australi, Shtetet e Bashkuara dhe me gjasë i pari stil edhe si qëndrim i caktuar, depërton edhe pse fillimisht incognito në lindje asokohe komuniste ku trendet perëndimore ishin të ndaluara.
Vizitat e grupeve britanike si Damned dhe Sex Pistols nxitën më vonë skena të shquara pank rajonale në Seattle, Washington, San Francisko (Dead Kenedys) dhe Los Anxhelos (X dhe Black Flag). Sidoqoftë, në fund të viteve 1970, punk-u në Shtetet e Bashkuara u eklipsua nga disko dhe kaloi në ilegalitet në lëvizje të tilla si hardcore.
Ndikimi i plotë i Punk-ut erdhi vetëm pas suksesit të Nirvana-s në 1991, që përkon me ngritjen e Gjeneratës X – një brez i ri, i pakënaqur i lindur në vitet 1960, shumë anëtarë të të cilit u identifikuan me përzierjen e ngarkuar, shpesh kontradiktore të inteligjencës, thjeshtësisë, zemërimit të punk-ut, dhe pafuqinë.
Sllogani “Punk-u ka vdekur” nuk qëndron. Ose mbase thjesht po e kërkojmë në vendet e gabuara.
Michael Omar, i njohur me emrin artistik Stormzy, performoi në Glastonbury. Stormzy është një artist Grime, një zhanër gjithnjë e më popullor i muzikës që ka lindur në rrugët e Londrës Lindore. Grime është DIY (Do It Yourself) dhe anti-establishment: Stormzy fitoi famë kur seriali i tij i stilit të lirë në YouTube u bë viral në vitin 2013. Grime është demokratik (nuk duhet të jesh në gjendje të këndosh për të thënë diçka), i papërpunuar dhe i zemëruar.
Është si lëvizja origjinale punk e rimishëruar dhe rifituar nga të rinjtë metropolitane me diçka për të thënë. Mes një shfaqjeje fishekzjarre dhe flakëhedhës, ai gjeti gjithashtu kohë të dënojë padrejtësinë racore, duke marrë shembull nga një fjalim i deputetit David Lammy mbi numrin joproporcional të njerëzve me ngjyrë, aziatikë dhe pakicë etnikë në sistemin e drejtësisë penale. I veshur me një jelek me thikë në Union Jack të projektuar nga artisti i rrugës Banksy, Stormzy imitoi printimin ikonikë të Sex Pistol që përdoret për të promovuar “Anarkinë në Britaninë e Madhe”.
Ashtu si pankerët para tij, Stormzy përputhet me stilin dhe substancën, mediumin dhe mesazhin. Megjithëse estetika e punk-ut mund të jetë më e zakonshme se kurrë, zemra e lëvizjes është trashëguar nga një brez i ri muzikantësh në Britani. Ata mund të mos e quajnë veten ‘Punk’, por parimi është i njëjtë: thyeni sistemin. “Ndoshta ka ende shpresë për anarkistët”.
Sot, në botë është establishuar Punk ideologjia, Punk letërsia, Punk moda, dhe nuk ka gati artistë komercionalë që nuk ka trashëguar diçka nga Punk./Katror.info
Përgatiti:
