Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se vlerat e manganit në ujin e liqenit të Badocit janë brenda standardeve për konsum të qytetarëve. Nga instituti thuhet se vlerat e shtuara të manganit në ujin e pijes ishin preokupim, për shkak të ndikimit negativ që ka ai në shëndet.
“Vlerat e manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës në ditët e fundit rezultojne brenda standardeve të parapara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”, thuhët në njoftim.
Përmes një njoftimi për media, IKSHPK tha se së bashku me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” kanë ndërmarrë masat e nevojshme që gjendje e ujit të ishte brenda standardeve dhe që vlerat e manganit të ishin të lejuar për pije.
Për t’u shpallur uji higjienik dhe i sigurt për pije në zonën e furnizimit nga fabrika e Badocit, në laboratorët e IKSHPK-se Laboratori i parametrave bazik ku testohet Mangani si parametër indikues dhe Laboratori analitik-ICPMS ku testohet mangani si metal i rëndë, sipas procedurave standarde janë kryer tri matje të njëpasnjëshme në tri ditët e fundit:
Më datën 17 nëntor: 0.025-0.05 mg/litër, më datën 18 nëntor: 0.010-0.031 mg/ litër dhe më datën 19 nëntor: 0.017-0.037 mg/ litër
“Bazuar në rezultatet laboratorike, uji në zonat e furnizuara nga Liqeni i Badocit gjegjësisht – Fabrika në Badovc i plotëson kriteret të parapara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”(vlerat referente të Manganit 50 µg/L (0.05 mg/L). Nga sot vazhdon monitorimi i rregullt si aktivitet themelor i Qendrës së ujit brenda IKSHPK-së”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe, Më 19 tetor, IKSHPK-ja pati rekomanduar qytetarët që furnizohen me ujë nga Badoci që të mos e përdornin atë për shkak se të niveleve të larta të manganit./Katror.info