Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka vlerësuar lart Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Ai ka thënë se, Kosova ka shënuar ngritje të madhe pas pranimit në UEFA dhe FIFA.
Në “FFK Podcast”, Infantino, ka zbuluar nëse Xherdan Shaqiri dhe lojtarët e tjerë me rrënjë nga Kosova ishin të gatshëm të luanin për Kosovën pas pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA e FIFA.
Intervista e Infantinos u publikua të enjten në faqen e Federatës së Futbollit të Kosovës.
I pari i shtëpisë botërore të futbollit ishte në Kosovë më 8 tetor për të pranuar Medaljen Presidenciale të Meritave nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Infantino u zgjodh president i FIFA-s më 26 shkurt të vitit 2016. Tre muaj pasi u zgjodh president, Federata e Futbollit e Kosovës, atëbotë e udhëhequr nga legjenda Fadil Vokrri, u pranua në FIFA.
Pranimit në FIFA ia hapi rrugën anëtarësimi në UEFA, më 3 maj 2016.
“Dua të them se ekipi është i fortë dhe ju keni kaq shumë tifozë në Kosovë dhe gjithandej. Këta janë shembuj për të rinjtë e një vendi të ri, i cili ka nevojë të ndërtojë gjithashtu identitetin e vet si shtet. Dhe futbolli, padyshim, kontribuon shumë në këtë drejtim. Sigurisht, mund të shohim edhe renditjen e ekipit kombëtar dhe gjithashtu rezultatet që janë arritur. Mund të shohim ekipet e të rinjve dhe pasionin që vazhdon të rritet. Mund të shohim gjithashtu edhe ligën vendore. Po ashtu, mund të shohim të gjithë lojtarët nga Kosova, ndoshta të brezit të dytë. Disa prej tyre janë të brezit të tretë, disa të tjerë janë të brezit të dytë. Saktësisht. Të gjithë e duan vendin e tyre dhe duan të kthehen për të luajtur për kombëtaren e tyre. Mendoj se kjo tregon se puna që po bëhet këtu është e shkëlqyer”, ka thënë Infantino.
Kosova është e dyta në Grupin B me shtatë pikë. Dhjetë pikë në vendin e parë i ka Zvicra, kurse Sllovenia është e treta me tri pikë. Suedia zë pozitën e fundit me një pikë.
Pas pranimit në UEFA e FIFA, Kosova më 5 shtator 2016 luajti ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionat Botëror. Kishte pak kohë për të formuar ekip garues. Iu afruan disa futbollistë që kishin luajtur për shtete të ndryshe para se Kosova të ishte pjesë e organizatave sportive.
Por Kosovën nuk i ishin bashkuar lojtarët që synoi. Kishte mjaft diskutime, sidomos për Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën. Shaqiri u pensionua nga Zvicra, ndërsa Xhaka vazhdon ta udhëheqë shtetin helvetik si kapiten.
Infantino në intervistë ka theksuar se Shaqiri dhe të tjerët e kishin të pamundur të luanin për Kosovën.
“Për shumë lojtarë nga Kosova që kanë lindur dhe janë rritur jashtë vendit, sigurisht që ka pasur shumë ndikime dhe histori të ndryshme. Siç e dini, shumë prej tyre në kohën kur Kosova ende nuk ishte e pranuar ndërkombëtarisht, luanin për ekipin kombëtar të Zvicrës, për shembull si Xherdan Shaqiri dhe të tjerë. Ata ishin ndër lojtarët më të mirë që mund të kishin luajtur ndonjëherë për Kosovën, por në atë kohë Kosova nuk ishte e pranuar ndërkombëtarisht”, është shprehur Infantino.
Udhëheqësi i FIFA-s ka përgëzuar kryetarin e FFK-së, Agim Ademin, për afrimin e lojtarëve të rinj te Kosova.
“Por e dini, të gjithë këta lojtarë ndiejnë shumë për Kosovën, sepse prindërit e tyre kanë qenë të detyruar të largohen dhe të integrohen në një vend tjetër. Megjithatë, ata janë rritur me rrënjët e vendit të tyre. Dhe, e dini, Agimi, Federata, ekipi kombëtar e kuptojnë këtë dhe dinë t’i prekin ato ndjenja. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, sepse identiteti i vendit është diçka thelbësore. E dini, jemi miq me të gjithë, por duhet ta ndiejmë se zemra rreh për vendin dhe për popullin e Kosovës. Është pikërisht kjo ndjenjë krenarie që do t’ju sfidoja ta mbani gjallë”, ka thënë Infantino.
Presidenti Infantino vizitën e parë në Kosovë e realizoi në vitin 2022. /Koha/Katror.info