Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është përfshirë në një renovim të rëndësishëm, i cili ka përmirësuar që do të ndikojë në mënyrë të ndjeshme në cilësinë e shërbimeve për qytetarët dhe stafin e saj.
Ky projekt i rëndësishëm, me një vlerë totale prej €779 mijë, ka sjellë përmirësime të dukshme në hapësirat e klinikës dhe në funksionalitetin e saj.
Renovimi ka përfshirë disa aspekte kyçe për përmirësimin e kushteve në Klinikën Emergjente. Hapësirat janë bërë më të qasshme dhe më funksionale, duke përfshirë riorganizimin e sporteleve dhe nyjeve sanitare. Një përmirësim i rëndësishëm është rritja e numrit të shtretërve nga 20 në 25, duke mundësuar një trajtim më të mirë dhe më efikas për pacientët që kërkojnë ndihmë emergjente.
Gjithashtu, janë bërë përmirësime në infrastrukturën e banjove dhe janë instaluar kamera të reja në sallat e operimit, të cilat lejojnë monitorimin e operacioneve në kohë reale. Ky funksionalitet është një shtesë e rëndësishme që do të ndihmojë në përmirësimin e efikasitetit dhe sigurisë gjatë procedurave kirurgjikale.
Këto investime janë të rëndësishme për përmirësimin e kushteve të punës për stafin e Klinikës Emergjente dhe për ofrimin e një shërbimi më të mirë dhe më të shpejtë për pacientët.
Pjesëmarrës në përurimin e këtyre investimeve ishin drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, kryeministri Albin Kurti, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të cilët përshëndetën këtë projekt dhe theksuan rëndësinë e tij për sistemin shëndetësor të vendit./Katror.info