Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, mori pjesë si panelist në sesionin e Takimeve Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore, me temën “Forcimi i qëndrueshmërisë së sistemit financiar në kohë të pasigurive – Ndërtimi i kapaciteteve në vendet në zhvillim dhe ekonomitë në tranzicion”.
Paneli, i moderuar nga Drejtoresha e Institutit të FMN-së për Zhvillimin e Kapaciteteve, Catriona Purfield, përfshinte ekspertë të shquar nga FMN-ja dhe Banka Botërore.
Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Ismaili prezantoi arritjet kryesore të Kosovës në forcimin e sistemit financiar, përfshirë reformat në mbikëqyrjen bazuar në rrezik, politikën makroprudenciale, avancimet në statistikat financiare dhe përfshirjen financiare. Ai nënvizoi se këto përpjekje kanë kontribuar në largimin e Kosovës nga lista e vendeve fragjile dhe konfliktuale dhe në marrjen e vlerësimit sovran kreditor nga Fitch Ratings.
Ismaili gjithashtu foli për rëndësinë e vlerësimeve të rreziqeve me qasje drejt të ardhmes, duke përfshirë rreziqet nga FinTech-et dhe institucionet jo-bankare, si dhe rolin e kapaciteteve analitike, të dhënave dhe inteligjencës artificiale në ruajtjen e stabilitetit financiar.
Ai falënderoi FMN-në, donatorët dhe partnerët për mbështetjen e reformave, duke theksuar përkushtimin e stafit dhe ndikimin e asistencës teknike efektive. Pjesëmarrja e Guvernatorit Ismaili në këtë panel ndërkombëtar dëshmon progresin dhe arritjet konkrete të BQK-së./Katror.info.