Artistja Iva Lulashi do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia.
Mundësuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me projektidenë “Love as a Glass of Water”, Lulashi do të marrë pjesë në një prej ngjarjeve më të mëdha artistike në arenën ndërkombëtare.
Makrotema e këtij edicioni është “Të huaj kudo” dhe vjen nën drejtimin artistik të kuratorit brazilian Adriano Pedrosa. Me një karrierë mes Shqipërisë dhe Italisë, Iva Lulashi është një artiste që eksploron në terrene të guximshme. E tillë do të jetë edhe prekja e saj në pavijonin shqiptar, që do të kurohet nga kritiku italian Antonio Grulli.
Kuratori Antonio Grulli shpjegon se tema e bienales “Të huaj kudo” ka një kuptim të dyfishtë.
“Së pari, do të thotë se kudo ku shkon apo gjendesh do të ndeshësh të huaj: janë/jemi kudo. Së dyti, pavarësisht vendndodhjes, në thelb mbetemi gjithnjë të huaj. Dhe, në Bienalen e Artit 2024 do të flitet për artistë që janë vetë të huaj, emigrantë, pjesë e diasporës, azilantë, refugjatë…” ka thënë Grulli.
Iva Lulashi është një prej tyre. E lindur në Shqipëri, por e shkolluar në Venecia, në këtë qytet që bën bashkë të rinj dhe artistë nga e gjithë bota, ku ndërthuren kultura. Edhe piktura e Lulashit është një shtresëzim i shkollës shqiptare me rrugëtimin e saj artistik në Venecia.
Iva Lulashi është një artiste që jeton dhe punon në Milano. Në vitin 2016 ajo ka diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Venezia.
Lulashi ka organizuar ekspozita personale: si “Prey To Some Beast”, “Alchemies of bodies & other entities”, “Where I end and you begin I am” e vepra tjera.
Po ashtu veprat e saj janë bërë pjesë e një numri të madh ekspozitash kolektive në shumë vende evropiane./Kultplus/Katror.info