Te përfaqësuesja e Izraelit besojnë në fitore ndaj Kosovës, pavarësisht se vlerësojnë “Dardanët”. Edhe Izraeli e ka synim vendin e dytë në grup, sikurse Kosova. Vendi i dytë siguron pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani.
Para se të mendojnë për kualifikimin në Evropian, tek Izraeli janë të fokusuar te përballja me Kosovën. Kjo është ndeshja e parë për të dyja përfaqësueset në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024 dhe i takon Grupit I. Ndeshja Izrael – Kosovë luhet të shtunën prej orës 18:00 në “Bloomfield Stadium” në Tel Aviv, shkruan koha.
Stadiumi do të jetë i mbushur me tifozë të Izraelit. Numri i madh i tifozëve, sipas selektorit të Izraelit, Alon Hazan, do ta motivojë maksimalisht ekipin për ta kërkuar fitoren ndaj “Dardanëve”. Hazan ka thënë se kjo ndeshje është e rëndësishme duke pasur parasysh se bëhet fjalë për rivalin direkt të Izraelit.
“Ne i kemi vënë disa synime. Të gjithë duan të kualifikohen, por ne kemi dashur t’i kthejmë tifozët në tribuna dhe ia kemi dalë. Jam shumë i lumtur që lojtarët do ta kenë përkrahjen e madhe, e cila besoj se do t’i motivojë edhe më shumë për ta fituar ndeshjen”, është shprehur Hazan të premten në konferencën për shtyp. “Optimizmi është i madh dhe ekipi ka besim, duke pasur parasysh se stadiumi do të jetë i mbushur me tifozë. Është me rëndësi të japim më të mirën nga vetja pasi edhe Kosova e Rumania mendojnë sikur ne që vendi i dytë është i tyre dhe kjo është e drejtë. Por, ne duhet ta mposhtim Kosovën dhe të shkojmë hap pas hapi drejt kualifikimit. Ne e kemi parasysh se jemi në gjendje të bëjmë këtë dhe besoj se do ta dëshmojmë prej ndeshjes së parë”.
Trajneri Hazan ka vlerësuar Kosovën dhe ka thënë se “Dardanët” kanë në radhët e veta lojtarë të mirë. Mirëpo, ka insistuar se kjo nuk e shqetëson aspak ekipin e tij i cili është përgatitur për pikët e plota.